Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bën lëvizjen e radhës.
Pasi Gjykata e Posaçme Apelit vendosi të prishë vendimin e Shkallës së Parë dhe të rikthejë gjykimin nga e para në Gjykatën e Posaçme për ish-ministrin, si Tahiri dhe Jaeld Çela bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Apelit.
Kujtojmë se ish-ministri është nën akuzë për trafik narkotikësh në kuadër të grupit kriminal. Gjykata e Krimeve të Rënda i dënoi Tahirin e Çelën për “shpërdorim detyre”.
Në vendimin e 26 qershorit për kthimin e dosjes në rigjykim, Apeli i Posaçëm argumentoi se Shkalla e Parë ka gabuar kur rikualifikoi akuzën për ta nga “trafik i narkotikëve” në formën e grupit kriminal në “shpërdorim të detyrës”.
Në 4 gusht, Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën për lirim nga qelia të ish-shefit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Pasi çështja ndaj tij dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri u kthye për rigjykim në Shkallën e Parë, Gjykata e Lartë ka shuar dëshirën e Çelës për të zbutur masën e sigurisë “arrest në burg”. Jaeld Çela qëndron në burg prej 16 majit, kur u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës pas më shumë se 2 vitesh qëndrimi në arrati. Gjatë arratisë ai u dënua nga Gjykata për Krimet e Rënda me 3 vjet e 4 muaj burg për “shpërdorim të detyrës”.