Policia greke në Kapshticë ka lejuar kalimin e 300 personave nga Shqipëria për në Greqi dhe pas kësaj e ka mbyllur punën. Ky qëndrim, në zbatim të vendimit të marrë nga autoritetet greke se nga dita e sotme do të lejohen të hyjnë në këtë shtet nga Shqipëria vetëm 300 persona nga kjo pikë doganore dhe 750 nga ajo e Kakavijës.
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë, stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë u bëri thirrje qyyetarëve nga Shqipëria që të mos dynden.
Në njoftimin e lëshuar prej saj thuhet: “Ditën e sotme, pas takimit që autoritetet shqiptare zhvilluan me palën greke, jemi informuar se nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, drejt Republikës së Greqisë do të lejohen të kalojnë vetëm 300 shtetas.
Aktualisht kjo kuotë, është plotësuar dhe nga ana e palës greke është pezulluar puna.
Policia Kufitare apelon për qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, që mos vijojnë të dynden dhe të shmangin krijimin e radhës drejt kësaj pike kalimi, pasi Dogana Greke aktualisht është e mbyllur. Ju faleminderit për mirëkuptimin!””