Turqia nuk tërhiqet: S’ka kompromis me të drejtat tona në Mesdheun Lindor, bisedime në nivel ushtarak

0

Turqia nuk do të bëjë asnjë marrëveshje mbi çka i konsideron se janë të drejtat e saj në Mesdheun Lindor.

Duke folur nga Stambolli, ministri turk i Mbrojtjes u shpreh se Turqia mirëpret nismën e NATO-s për të pasur bisedime teknike me Greqinë, çka do të bënte të mundur uljen e tensioneve dhe shmangien e konfliktit në ujërat e Mesdheut.

Por, ai theksoi se Ankaraja është e vendosur të mbrojë interesat dhe të drejtat e saj.

“Kërkimi i një dialogu po perceptohet si një dobësi. Nga ana tjetër, ne do të mbrojmë të drejtat dhe interesat tona. Nuk do të bëjmë kompromis me asnjë pjesëz të të drejtave tona. Po paraqesim realitetin dhe matematikën.

Ne po kërkojmë të diskutojmë dhe negociojmë në këtë kuadër dhe së fundmi, siç e dini, pas bisedës së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s me presidentin tonë, ka përpjekje për të filluar bisedime të nivelit ushtarak.

Ne i mbështesim këto bisedime”, u shpreh Hulusi Akar, ministër i Mbrojtjes i Turqisë.
Kryeministri grek Micotakis është shprehur i gatshëm për dialog me Turqinë për të zgjidhur përplasjet territoriale në detin Mesdhe.

Por ai ka theksuar se lëvizja e parë në këtë drejtim i takon Ankarasë, e cila sipas tij duhet të heqë dorë nga kërcënimet.

BE ka shprehur solidaritet me Greqinë duke kërkuar që Turqia të mos ndërmarrë veprime të njëanshme, por të gjendet gjuha e dialogut pasi është e rëndësishme për paqen në rajon.

Tensionet mes dy shteteve u përshkallëzuan muajin e kaluar, pasi Turqia dërgoi një anije për kërkime për gaz në zonën detare mes Qipros dhe ishullit të Rodosit, për të cilën Greqia pretendon se i përket zonës ekskluzive ekonomike të saj.

Artikulli i mëparshëmHistoria e implikimit të “Raiffeisen Austria” në pastrimin e parave dhe lëvizjet e dyshimta në kompani fantazmë
Artikulli i radhësShkëlzen Buçi, killeri me pagesë i dënuar me 13 vjet burg dhe që nuk kurseu as ekzekutimin e motrës