Bizneset kanë afat deri në 10 tetor të dorëzojnë bilancet, nëse kanë marrë numër aplikimi

0

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka bërë të ditur se bizneset që nuk kanë arritur që të dorëzojnë pasqyrat financiare të vitit 2019 kanë afat deri në 10 tetor që ta bëjnë këtë, nëse ata e kanë marrë një numër aplikimi deri në 3 gusht, kur ishte dhe afati i fundit për dorëzimin e bilanceve.

Në një njoftim zyrtar, QKB bën me dije se “subjektet të cilët kanë aplikuar online për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar,  nëpërmjet portalit e-albania deri në datën 03.08.2020 dhe rezulton se aplikimi i tyre ka marrë një numër aplikimi (CN…), si dhe i është komunikuar me e-mail nga sistemi për mosvalidimin e pasqyrave financiare në momentin që është tentuar të bëhet dorëzimi brenda datës së përcaktuar nga ligji, por për shkak të fluksit të madh të aplikimeve në të njëjtën kohë është bërë e pamundur plotësimi dhe dërgimi në mënyrën e duhur të tyre brenda datës 03.08.2020, lutemi që të depozitojnë pasqyrat financiare në bazë të kriterit të mësipër, deri më datë 10.10.2020”.

Bizneset dorëzuan 19.1 mijë bilance këtë vit

Më herët, QKB njoftoi se 19.1 mijë biznese kanë dorëzuar bilancin e vitit 2019 online në Qendrën Kombëtare të Biznesit nga 6 janari deri më 3 gusht të këtij viti. Nga këto, 17.6 mijë janë miratuar, dhe 1,535 u refuzuan, ose rreth 8% e totalit të bilanceve të dorëzuara.

Gjithsej janë rreth 20 mijë subjekte që kanë detyrimin për të dorëzuar bilancin.

“Për periudhën 6 janar – 3 gusht 2020, u depozituan online nëpërmjet portalit e-Albania 19,127 bilance nga biznese me administratorë shqiptar. U aprovuan 17,592 bilance. U refuzuan 1,535 bilance, kryesisht për parregullsi dokumentacioni. Numri i bilanceve te depozituara nëpërmjet portalit e-Albania, shënon një tjetër sukses të aplikimeve online”, thuhej në njoftimin e publikuar nga QKB.

Artikulli i mëparshëmKuvendi pas pushimeve/ Rinis sot, ja sfidat e vjeshtës
Artikulli i radhësCovid pacientët: 25% mbeten më dëme të përhershme në mushkëri