Afrika e Jugut do të rihapë kufijtë e saj në shumicën e vendeve muajin e ardhshëm, sipas një deklarate të presidentit të mërkurën. Afrika vendosi bllokimin total të vendit në 27 mars për të kufizuar përhapjen e virusit. Kufizimet për lëvizjen e banorëve dhe rihapja e bizneseve ka filluar gradualisht që nga qershori, por kufijtë qëndruan të mbyllur për të shmangur importimin e rasteve të reja nga vendet e tjera.
Presidenti Cyril Ramaphosa tha se kufizimet e mbetura do të hiqen duke filluar nga 20 shtatori dhe se udhëtimet ndërkombëtare do të rinisin në 1 tetor.
“Ne i kemi rezistuar stuhisë së koronavirusit,” tha Ramaphosa në një fjalim drejtuar popullit.
Sipas masave të reja, do të lejohet grumbullimi deri në 250 persona. Afrika e Jugut ka regjistruar 651,000 të infektuar dhe mbi 15,600 viktima deri më sot. Presidenti vuri në dukje se numri i rasteve të reja kishte rënë nga një mesatare prej 12,000 në ditë në “kulmin e stuhisë” në korrik në më pak se 2,000.