Të jesh futbollist ke privilegje të mëdha, por nganjëherë një gjest i yti dikujt i ndryshon jetën.
Një gjë e tillë ka ndodhur me ikonën e Romës dhe Italisë, Francesco Totti që me zërin e tij ka zgjuar një tifoze nga koma.
Ilenia Matilli është një tifoze e Romës, por që është edhe futbolliste e Lazios.
Në dhjetor të vitit 2019 ajo ka bërë një aksident me makinë ku ishte së bashku me shoqen e saj Martina Oro, por që fatkeqësisht kjo e fundit nuk i mbijetoi plagëve dhe vdiq.
Matilli që nga ajo kohë është në gjendje kome duke luftuar me vdekjen, por tani ka ardhur lajmi i madh nga kryeqyteti italian.
Francesco Totti i ka dërguar asaj një video mesazh dhe zëri i kapitenit magjik ka ndikuar për tu zgjuar Matilli nga koma.
“Ilenia mos u dorëzo, do t’ia dalësh. Jemi të gjithë me ty”, ishte mesazhi i Tottit drejt tifozes së tij të madhe.
Kaq ka mjaftuar, një mesazh nga kapiteni për tu zgjuar Ilenia nga koma dhe për t’i gëzuar familjarët e saj.
Corriere dello Sport ka raportuar se prindërit e futbollistes 20 vjeçare tani i kanë dërguar një mesazh ikonës së Romës për ta vizituar vajzën e tyre në spital.
“Zëri juaj fantastik, i kombinuar me pasionin, dashurinë që Ilenia ka pasur gjithmonë për Romën ka bërë që ajo të zgjohet dhe t’i rikthehet buzqeshja. Ne nuk mund ta bënim pa ty, ajo ka syt plot dritë dhe gëzim tani”.
“I dashur Francesco, ne po të presim, mezi presim t’ju shohim. Ilenia po ju pret për të ju falënderuar”, ishte mesazhi i prindërve të tifozes 20-vjeçare për Corriere dello Sport.
Ende nuk ka pasur reagim nga kapiteni legjendar i Romës, por duke parë humanitetin e tij pritet që ai të vizitojë në spital futbollisten e Lazios.
Gjithsesi e rëndësishme është që Ilenia është zgjuar, ndërsa Totti përveç që ka qenë një futbollist jashtëzakonisht i madh, ai u tregua i madh dhe human edhe jashtë fushave.