Aktivitetet njerëzore po shkatërrojnë botën natyrore, duke çuar në zhdukjen e specieve shtazore dhe bimore me një shpejtësi alarmante. Udhëheqësit botërorë tashmë po kërkojnë një zgjidhje për të trajtuar problemin, por a është kjo e mjaftueshme?
Çfarë është biodiversiteti dhe pse ka rëndësi?
Biodiversiteti është shumëllojshmëria e të gjitha gjallesave në Tokë dhe mënyra se si ato përshtaten së bashku në rrjetën e jetës, duke sjellë oksigjen, ujë, ushqim dhe përfitime të tjera të panumërta.
Raportet dhe studimet e fundit kanë treguar se gjendja e natyrës është alarmante.Vitin e kaluar shkencëtarët deklaruan se ka humbje të një milion specieve që janë të kërcënuara për t’u zhdukur.
Dhe këtë muaj, një raport zbuloi se popullatat globale të gjitarëve, zogjve, peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve kanë pësuar një zvogëlim numri në 68%, mes vitit 1970 dhe 2016.
A po jetojmë në një epokë të zhdukjes?
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se po hyjmë në zhdukjen e gjashtë masive. Ata shprehen se gjithçka që bëjmë tani ka të ngjarë të përcaktojë të ardhmen e njerëzimit. Pesë zhdukjet e tjera masive përfshijnë goditjen e asteroidit që vrau dinosaurët dhe shumë specie në det.
“Nuk kemi kohë të presim. Humbja e biodiversitetit, humbja e natyrës, është në një nivel të pashembullt në historinë e njerëzimit.Ne jemi specia më e rrezikshme në historinë globale,” thotë Elizabeth Mrema, sekretarja ekzekutive e Konventës Europiane për Diversitetin Biologjik.
Një nga problemet më të mëdha për speciet me të cilat ne ndajmë planetin, është shkalla me të cilën po transformojmë peizazhin natyror, përmes ndërtimit të rrugëve dhe qyteteve dhe marrjen e më shumë tokave për të rritur ushqimin. Sipas të dhënave në tokë ka shumë plastikë dhe në oqeane po zbrazen rezervat e peshkut. Vlerësimet tregojnë se 75% e tokës dhe 66% e oqeaneve është degraduar nga aktiviteti njerëzor.
Si të dalim nga rruga e shkatërrimit? Largimi nga trajektorja jonë aktuale shkatërruese do të kërkojë disa ndryshime të mëdha. Në Samitin e Kombeve të Bashkuara mbi Biodiversitetin në Nju Jork më 30 shtator, udhëheqësit botërorë pritet të deklarojnë angazhimet e vendeve të tyre ndaj natyrës dhe ndoshta një mënyrë të re për të bërë gjërat.
“Ata nuk do të thonë:” Ne do të vazhdojmë një rrugë shkatërrimi “. Ata do të thonë: “Ne do të shkojmë në një rrugë të qëndrueshmërisë”, “thotë Inger Andersen, kreu i Programit të Kombeve të Bashkuara të Mjedisit (UNEP).
Cili është plani për të ardhmen?
Vendeve u kërkohet të vendosin emrat e tyre në një marrëveshje që do të ishte për biodiversitetin, njejtë marrëveshja e klimës së Parisit për ndryshimin e klimës. Kjo hyn në kuadrin e Konventës mbi Diversitetin Biologjik, një traktat ndërkombëtar për të cilin u vendos në Samitin e Tokës të Kombeve të Bashkuara në Brazil në 1992.
Konventa ka tre qëllime:
-ruajtjen e larmisë biologjike.
-përdorimi i qëndrueshëm i natyrës.
-ndarjen e përfitimeve që vijnë nga shkenca gjenetike.
Vendet kishin kohë deri në këtë vit për të arritur kushtet e vendosura një dekadë më parë. Përkundër një progresi, asnjë nga synimet nuk u arrit.
Udhëheqësve botërorë tani u kërkohet të regjistrohen në një zotim për të mbrojtur 30% të botës deri në 2030 përmes një plani dhjetë pikësh që vendos jetën e egër dhe klimën në zemër të planeve të rimëkëmbjes nga pandemia.
Sipas ekapertëve të mjedisit, ata duhet të premtojnë të adresojnë ndryshimet klimatike, shpyllëzimet, degradimin e ekosistemit dhe ndotjen.
Shkencëtarët thonë se një sasi e madhe është në rrezik; por është akoma e mundur të ndryshohet shkatërrimi i natyrës, nëse veprohet sipas fjalëve dhe premtimeve.(BBC, gazeta “Si”)