Avokatja Irena Dule ka denoncuar sjelljet arrogante të policisë me të shoqëruarit e protestave.
Sipas saj, nuk u lejohen avokatët, mbahen nga 10 veta në një qeli dhe shahen.
Reagimi i plotë i avokates, Irena Dule:
Shumë raportime për sjelljen e policisë në rrugë, por nuk po shoh raportime për sjelljen e policisë në rajone, ku protestuesit e arrestuar i mbajnë nga 10 veta në një dhomë 15 m2, në këmbë, i venë të flenë në parabanjot e komisariatit, mbahen të izoluar dhe nuk i lejojnë të takojnë asnjë familjar, nuk lejojnë t’u çohet asnjë shishe uji, ushqim as nuk flitet, i detyrojnë të firmosin që nuk duan të mbrohen me avokat; takimi me avokatin, kur ai zgjidhet nga familja, bëhet në parabanjo, aty ku edhe flihej ose varianti tjetër ishte te këmbët e policit që ruante derën; e më e rënda është rrahja e tyre edhe të nesërmen e kapjes… e nëse vinte ndonjë pyetje po pse gjuan, përgjigja e policit është më do k…. e nuk po i hyj arsyeve të arrestimeve e rregullueshmërisë së tyre që është histori abuzimi me vete. (Kjo pamja më sipër ishte tregim real i situatës dje, në Komisariatin nr. 1 Tiranë, të cilën pata luksin ta shoh “me privilegjin” e avokatit).