Ankimohet aeroporti i Vlorës – Sërish vonesa, ankesa në KPP është depozituar nga koncesionari i aeroportit të Kukësit

0

Gara e partneritetit publik-privat për ndërtimin e aeroportit të Vlorës është ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, duke sjellë të tjera vonesa në finalizimin e saj. Është kompania Global Technical Mecanics, që ka depozituar një ankesë, ndërkohë që referuar legjislacionit në fuqi procedura nuk mund të vijojë deri në një vendim të KPP-së. Kjo kompani është dhe një prej shoqërive fituese të koncesionit të  aeroportit të Kukësit, ndërkohë që në fazën në të cilën ndodhet gara, ankesat kryesisht adresohen për kriteret e vendosur nga autoriteti kontraktor.

Kjo nuk është hera e para që procedurat për koncesionin e  aeroportit të Vlorës zgjaten në kohë, duke qenë se fillimisht gara u hap në datën 19 dhjetor të vitit të kaluar, teksa do të qëndronte e hapur për kompanitë e interesuara deri në 13 mars. Sipas afateve të prezantuara parashikohej që deri në 31 maj të kishin nisur punimet, por situata e krijuar nga përhapja e COVID-19 detyroi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, që fillimisht të shtyjë afatin e dorëzimit të ofertave deri në datën 30 mars, ndërsa në një shtyrje të dytë afati i ri u vendos data 21 prill.

Por, duket se impakti i pandemisë ishte edhe më i lartë në këtë garë ndërkombëtare, çka bëri që zyrtarisht, në datën 31 mars, gara të pezullohej. Ndërkaq, në datën 23 nëntor Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi rihapjen e garës ndërkombëtare, duke lënë 1 muaj afat për dorëzimin e ofertave nga kompanitë e interesuara. Ndërtimi i Aeroporti të Vlorës parashikohet të kryehet përmes një partneritetit publik-privat, ku fillimisht kompania fituese do të duhet të kryejë investimin , ndërsa do të ketë të drejtën e operimit për një periudhë 35-vjeçare.

Artikulli i mëparshëmVaksina Pfizer: Si administrohet, çfarë përmban dhe kur është efikase?!
Artikulli i radhësMiratohet ligji i ri për tenderët – Murrizi: Duhet të ndryshojnë sjelljet korruptive. Bushka: Mirëpërdorim i fondeve publike