Kush e kishte menduar më parë se do të lexonte një artikull që përmend disa nga përfitimet e nikotinës? Le ta sqarojmë një gjë: cigaret janë të dëmshme, por, nikotina nuk është e njëjta gjë me cigaret. Stimuluesi i zakonshëm që gjendet tek duhani gjendet gjithashtu dhe në sasi më të vogla në patëllxhanë dhe domate.
Në një artikull nga Nick English në portalin amerikan Vice.com, renditen 4 prej benefiteve kryesore të Nikotinës. Në këtë artikull përmendet se ka një sërë provash që sugjerojnë përfitime potenciale neurologjike që meritojnë vëmendje. Studimet më të mëdha të ndërmarra ndonjëherë, lidhen me sëmundjen e Parkinsonit dhe Alzhaimerit, të cilat janë duke u zhvilluar dhe konkluzionet e tyre mund të ndryshojnë dukshëm mënyrën se si do të trajtohet nikotina në të ardhmen.
NIKOTINA MUND TË NDIHMOJË PËR TË LUFTUAR PARKINSONIN
Të dhënat epidemiologjike kanë treguar prej kohësh që duhanpirësit megjithëse kanë më shumë të ngjarë të preken nga sëmundje të zemrës apo goditje në tru, në të vërtetë kanë më pak të ngjarë të zhvillojnë sëmundjen e Parkinsonit. Ka qenë e vështirë që studiuesit të marrin fonde për studime njerëzore, por kërkimet e realizuara ndër vite mbi gjitarët e tjerë kanë prodhuar disa rezultate mjaft pozitive që kanë mundësuar financimin nga Michael J. Fox Foundation të një studimi që po zhvillohet aktualisht.
“Me kalimin e viteve, njerëzit kanë testuar këtë ide tek minjtë, kavjet dhe majmunët, dhe ne zbuluam se nikotina mund të mbrojë kundër dëmtimit që ndodh në trurin e majmunëve nga sëmundja e Parkinsonit”, thotë Maryka Quik, Studiuese në Institutin e Parkinsonit.
Kjo mund të jetë për shkak se molekula e nikotinës përshtatet në receptorët për acetilkolinën neurotransmetuese, e cila mund t’i japë asaj aftësinë për të moderuar receptorët në tru.
“Në sëmundjen e Parkinsonit ka një degjenerim të neuroneve, dhe nikotina ka treguar se rrit disa faktorë në tru,” thotë Quik. “Kështu që është e mundur që nikotina të mund të parandalojë pjesërisht degjenerimin që ndodh në tru përmes rritjes së këtyre faktorëve.”
Gjithsesi kjo nuk do të thotë që njerëzit duhet të pijnë duhan për të kuruar Parkinsonin, por të ndjekin këshillat e mjekut.
NIKOTINA MUND TË PËRMIRËSOJË FUNKSIONIMIN E TRURIT TE NJERËZIT ME PROBLEME KONJUNKTIVE
Është vërejtur që nikotina duket se zvogëlon humbjen e neuroneve që prodhojnë dopaminë në tru, kjo është një arsye pse mund të ketë aplikime për sëmundjen e Parkinsonit dhe sëmundjen e Alzheimerit. Disa studime paraprake mbi subjektet që vuajnë nga dëmtimi i butë konjunktiv, kanë zbuluar se përdorimi i kapsulave me nikotinë gjatë disa muajve tregoi përmirësime të konsiderueshme në vëmendje, memorie dhe vlerësime të dëmtimeve konjunktive.
Paul Newhouse, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Konjuktive të Universitetit Vanderbilt, ka studiuar rolin e nikotinës në çrregullimet neurologjike për 30 vjet dhe aktualisht është duke ndërmarrë një studim me 300 të moshuar.
“Në studime të tre Universiteteve të ndryshme, ne testuam nëse kapsula e nikotinës transdermale mund të ndihmonte pacientët të cilët po zhvillojnë shenja të hershme të humbjes së kujtesës që shpesh çojnë në Alzheimer dhe zbuluam se ka prova domethënëse të përmirësimit të performancës njohëse si në vëmendje ashtu edhe në memorie ,” tha ai. “Kjo nuk nënkupton domosdoshmërish që nikotina në vetvete mund të parandalojë sëmundjen e Alzheimerit, por hipoteza është se do të përmirësojë vëmendjen dhe funksionin e kujtesës në pacientët që tashmë kanë rënie të hershme të kujtesës. Pra, është një studim trajtimi, jo një studim parandalimi. ”
NIKOTINA MUND TË NDIHMOJË ME DEPRESIONIN
Edhe pse nikotina mund të ndikojë në neuronet që prodhojnë dopaminë, ekspertët janë të ndarë në gjykimin e tyre mbi efektet që ka tek depresioni. Quik nuk mendon se ka ende prova të mjaftueshme, ndërsa Newhouse beson se këtu ka një potencial të vërtetë. “Në një studim pilot të shtimit të nikotinës tek të moshuarit me depresion gjetëm një efekt shumë të fortë pozitiv,” thotë Newhouse, duke theksuar se studimi u pranua kohët e fundit për botim. “Ne mendojmë se ekziston një potencial interesant për depresion, por nuk lidhet me dopaminën. Ajo që ne mendojmë është se nikotina ndryshon aktivitetin e rrjetit kortikal dhe është duke riorientuar aktivitetin e disa rrjeteve të brendshme në tru”.
NIKOTINA MUND TË NDIHMOJË ME PËRQËNDRIMIN
“E dimë që nëse jeni në ankth, nikotina do t’ju qetësojë dhe do të priret t’ju zgjojë nëse jeni të përgjumur,” thotë Newhouse i cili mbetet skeptik për sa i përket ndikimit të nikotinës tek njerëzit që nuk kanë probleme.
Ndërsa Newhouse nuk është mjaft i bindur, ka pasur një hulumtim interesant që sugjeron që nikotina mund të ketë një efekt të dobishëm në aspekte të caktuara të vëmendjes. Hulumtimet mbi duhanpirësit nga Universiteti i Sussex kanë arritur në përfundimin se nikotina mund të ketë një efekt të vogël, por domethënës në aftësinë për të mbajtur mend informacionin gjatë një periudhe të shkurtër kohe.