Shumë njerëz që përjetojnë simptoma afatgjata nga koronavirusi nuk ndiheshin aspak të sëmurë, në fillim të sëmundjes, sipas një studimi të ri.
Studimi, një nga të parët që u përqëndrua te njerëzit që nuk kishin nevojë të shtroheshin në spital pas infektimit, analizoi të dhënat e 1407 personave në Kaliforni.
Fillimisht ata nuk shfaqën simptoma të rëndësishme, por 60 ditë pas infektimit, 27% prej tyre luftuan me pasojat post-COVID si gulçim, dhimbje gjoksi, kollë apo dhimbje barku. Gati një e treta e këtyre pacientëve nuk kishin patur simptoma në fillim të infektimit me COVID.
Kuptimi i simptomave afatgjata të COVID është një përparësi gjithnjë e më e ngutshme për mjekët dhe studiuesit .
David Putrino, drejtori i inovacionit rehabilitues në Sistemin Shëndetësor Mount Sinai në New York City, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtimin e ri, tha se ai dhe kolegët e tij në qendrën e Mount Sinai për kujdesin post-Covid, po shohin një model të ngjashëm.
“Shumë njerëz që kishin Covid asimptomatik gjithashtu mund të vazhdojnë të zhvillojnë sindromën post-akute të Covid”, tha Dr. Putrino.
Studimi i ri është botuar në sitin paraprint MedRxiv.
Ndër gjetjet e tyre ishte edhe fakti se problemet afatgjata prekin çdo grupmoshë, përfshirë fëmijët.
“Nga 34 fëmijë në studim, 11 kishin pasoja afatgjata”, tha një nga autorët, Melissa Pinto.
Studimi gjeti më shumë se 30 simptoma, përfshirë ankthin, dhimbjen e mesit, lodhjen, pagjumësinë, problemet gastrointestinale dhe rrahjet e shpejta të zemrës.
Në studimin e ri, rreth 59 përqind e pacientëve me simptoma afatgjata ishin gra, dhe rreth gjysma e pacientëve ishin hispanike dhe 31 përqind ishin të bardhë. Autorët dhe Dr. Putrino paralajmëruan se çdo përfundim i besueshëm demografik do të kërkonte studime më të mëdha që janë të fushës kombëtare.