Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti ka dhënë një lajm të mirë ditën e sotme nga lufta me koronavirusin dhe variantet e reja që janë kthyer në shqetësim për të gjithë.Teksa tregon të dhënat e fundit të studimit në SHBA, epidemiologu thotë se nëse e keni kaluar infeksionin, “të shkuara dhe rrini të qetë”, nëse nuk e keni kaluar infeksionin, vaksinohuni.
“Miqtë e mi, sërish lajme të mira kundër variantit Afrikano-Jugor nga i cili u frikua opinioni publik këtë tremujor. Studiuesit elitarë të Emory University (SHBA) sapo publikuan (dje 20.03.2021) në revistën prestigjioze CELL Host & Microbe rezultatet e imunitetit të fituar nga kalimi i infeksionit apo nga vaksina Moderna kundër variantit Afrikano-Jugor. Ata studiuan efektet neutralizuese të gjakut: të pacientëve të sëmurë me SARS-CoV-2 të pacientëve që e kishin kaluar infeksionin, dhe të pacientëve të vaksinuar me Moderna.
Gjetjet: Antitrupat neutralizuese të të gjithë pacientëve lidheshin tre herë më pak me variantin Afrikano-Jugor (B.1.351), por Antitrupat neutralizuese të të gjithë pacientëve e neutralizonin variantin Afrikano-Jugor.
Këpuca është trefish më e lehtë, por përsëri e shtyp buburrecin! Autorët dalin në përfundimet e qarta se: Antitrupat nga personat e infektuar ose të vaksinuar lidhen me variantin Afrikano-Jugor. Gjaku i pacientëve që e kanë kaluar infeksionin edhe përpara 8 muajve (maksimumi i periudhës studimore), sërish e njeh variantin Afrikano-Jugor. Gjaku i pacientëve të vaksinuar ruan fuqinë neutralizuese kundër variantit Afrikano-Jugor. Pra, miqtë e mi, mesazhet janë të qarta: Nëse e keni kaluar infeksionin, të shkuara dhe rrini të qetë. Nëse nuk e keni kaluar infeksionin, vaksinohuni. Besojini natyrës dhe shkencës: ato veprojnë edhe pse nuk u jepet hapësirë mediatike që të na shqetësojnë”, shkruan mjeku.