“New York Times” publikoi së fundmi një dokumentar për jetën e Britney Spears dhe jetën e saj të kontrolluar, dokumentar i cili u quajt “Framing Britney Spears”. Dokumentari trajtonte jetën e këngëtares nga fama, problemet me drogën dhe marrëdhëniet e ndryshme, e deri te kujdestaria e të atit, Jamie Spears. Bota u shokua nga fakti që në moshën 26 vjeçare, Spears ishte vendosur nën një kontroll që zakonisht i vendoset të moshuarve ose personave të paaftë fizikisht ose mendërisht për të marrë vendime.
Pavarësisht kontrollit të madh për të cilin s’dinte gjë askush, Britney ia doli të kishte një karrierë të shkëlqyer dhe të performonte me sukses në shumë turne. Gjithashtu, këngët e saj kanë qenë prej kohësh më të pëlqyerat.
Në lidhje me dokumentarin shokues ka reaguar për herë të parë edhe artistja e njohur. Këngëtarja ka publikuar në Instagram një video të saj, teksa shfaqet duke kërcyer me këngën “Crazy” të Aerosmith.
“Jeta ime është spekuluar gjithmonë dhe është gjykuar. Për shëndetin e mendjes sime më duhet të kërcej me @iamstevent çdo natë të jetës sime për t’u ndjerë e egër, njerëzore dhe e gjallë. Kam qenë e ekspozuar gjatë gjithë jetës sime duke performuar përpara njerëzve! Kërkon shumë fuqi që t’i besosh universit, sepse unë gjithmonë kam qenë shumë e gjykuar, e ofenduar dhe e turpëruar nga media dhe ende kam arritur në këtë ditë! Ndërkohë që jeta vazhdon përpara ne jemi ende shumë të dobët dhe të ndjeshëm si njerëz!”, shkruan Britney.
Më pas ajo ka folur në lidhje me dokumentarin e saj.
“Nuk e pashë dokumentarin, por nga ajo pak që pashë u ndjeva e turpëruar nga ajo që nxorën… qava për dy javë dhe ende qaj ndonjëherë. Bëj çfarë mundem me anën time shpirtërore duke u përpjekur që të ruaj lumturinë time! Kërcimi më sjell gëzim! Unë nuk jam këtu për të qenë perfekte, perfeksioni është i mërzitshëm, unë jam këtu për të përcjellë mirësi”, është shprehur artistja.