Janë kryer një sërë studimesh mbi imunitetin që krijon trupi ndaj Covid 19, por pa një rezultat shumë të qartë. Një pjesë e tyre tregojnë se mbrojtja nga rikthimi sëmundjes zgjat për disa muaj.
Një studim i fundit në Britani të Madhe tregon se rreziku i riinfektimit nga Covid-19 është shumë i ulët, të paktën për 7 muaj. Studimet e mëparshme thoshin se njerëzit që kanë kaluar virusin janë të mbrojtur për 5 muaj. Ndërsa studimi i botuar më 9 prill në revistën shkencore The Lancet rriti kohëzgjatjen e mbrojtjes nga infektimi me 7 muaj.
Në studim u përfshi personeli shëndetësor, të cilët janë më të ekspozuarit ndaj virusit. Ishin 8,278 personel mjekësor që e kishin kaluar virusin. Të gjithë pjesëmarrësit iu nënshtruan për 12 muaj tamponëve molekulare çdo 2 javë dhe teste serologjike çdo 4 javë. Nga 155 riinfeksione, 78 ishin simptomatike, 50 me simptoma tipike kovidi. Intervali mesatar midis infeksionit primar dhe episodit të riinfektimit për 47 rastet me një test pozitiv PCR ishte 201 ditë. Për 99 rastet që u bazuan vetëm te simptomat dhe jo te rezultat e tamponit të parë pozitiv, intervali mesatar midis infeksionit primar dhe riinfektimit ishte 241 ditë. Llogaritja përfundimtare, e shmangur nga gabimet e mundshme dhe rastet e papërcaktueshme, tregoi se infeksioni i parë e uli incidencën e infeksionit me të paktën 90%.