Partia Demokratike ka deklaruar se gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve ka depozituar në organet e prokurorisë dhe në SPAK qindra denoncime për blerje votash, përdorim të jashtëligjshëm të administratës në zgjedhje dhe rolin e krimit në favor të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër edhe denoncime të hapura në media kanë qenë të shumta.
Por duket se ashtu siç ndodhi me dosjet 184 dhe 339, organi i akuzës “e ka marrë shtruar”, hetimin e tyre. Ndaj këtë të enjte Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka lëshuar një shkresë formale, “Për intensifikimin e masave administrative dhe procedurale për hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale në fushën e zgjedhjeve”, nëpërmjet së cilës iu kërkon vartësve të tyre që të bëjnë detyrën dhe të hetojnë për krimet zgjedhore.
Kryeprokurori ka kërkuar hetim të plotë të krimit zgjedhor dhe shqyrtim të të gjitha ankesave të ardhura nga partitë politike.
Duke e ditur se pas reformës zgjedhore, kryeprokurori nuk i urdhëron do prokurorët nëpër rrethe, kjo thirrje duket më shumë si përgjërim në rastin më të mirë, apo si “larje goje” në rastin më të keq.
Nga ana tjetër Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi dy ditë më pare, se është duke vazhduar ndjekjen penale për rastet që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.
Kujtojmë gjithashtu skandalin me provat e gjetura në ngjarjen e rëndë në Elbasan ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, në krah dhe në sy të prokurorit të çështjes gënjeu për provat e krimit elektoral në vendngjarje. As prokurori i çështjes as organi i akuzës në Elbasan dhe as ai i përgjithshmi, Çela, ende nuk kanë reaguar për këtë tentativë të manipulimit të ngjarjes.