Në rrjetet sociale po qarkullojnë me shpejtësi fotot e shkëputura nga urimi i Erion Veliajt për fëmijët me rastin e 1 Qershorit. Në videon origjinale, kryebashkiaku është mes fëmijëve dhe uron bashkë me ta festën, duke thënë se “mezi pret ta çojë qytetin sa më lart”. Por në videon që ka shpërndarë kryebashkiaku i Tiranës ka një nonsens. Në sfond duket Kulla e Sahatit, por pas saj nuk është qiellgërvishtësja që po ngrihet me shpejtësi duke e lënë në hije simbolin e kryeqytetit.
Pikërisht për këtë “magji” të Veliajt, janë shpërndarë kudo, foto të shkëputura nga video që e akuzojnë atë për retushimin e pamjes. Në fakt, truku qëndron diku tjetër. Për ta shmangur kullën e betonin që e shpërfytyron komplet atë të Sahatit, Veliaj thjesht ka zgjedhur një kënd tjetër të xhirimit të spotit ku uron fëmijët për 1 Qershorin.
Si një mjeshtër i manipulimit, nuk kishte si të pozicionohej në atë pamje të tmerrshme që i ka dhënë qendrës së Tiranës. Thjesht ka ndryshuar pozicion dhe në këtë mënyrë e ka “zhdukur” shëmtinë që ka krijuar në Tiranë. Megjithatë në rrjet kanë shpërthyer akuzat dhe krahasimet e pamjes reale të Kullës së Sahatit, që po tulatet dita ditës nën hijen e shumëkatësheve. Shikoni më poshtë fotot e gazetarit Isa Myzyraj që ka bërë krahasimin në profilin e tij: