Mjeku infeksionist Gent Stroni, deklaroi se me ardhjen e emigrantëve dhe turistëve për shkak të pushimeve verore, në vend mund të futen edhe mutacione të Covid-19.
Sipas Stronit, imuniteti i tufës është arritur, por nuk duhet ulur vigjilenca. Ndër të tjera, Stroni tha se vaksinat anti-covid, e kanë dhënë efektin e tyre në popullatë.
“Bashkë me emigrantët dhe turistët do të vijnë mes nesh edhe shtame të ndryshme. Të mos harrojmë që deri në këtë periudhë nëse e ke kaluar në gushtin e kaluar nuk ndodh që të mos riinfektohesh më. Këta persona përsëri mund të riinfektohen. Një trup që e ka kaluar patjetër që do e kalojë më lehtë. Por përbën përsëri një lloj statusi për këtë organizëm. Vigjilencën nuk duhet ta ulim. Imuniteti i tufës në mendimin tim është realizuar. Edhe vaksinat kanë dhënë efektin e tyre”,
Situata epidemiologjike në vend vijon të mbetet e qëndrueshme. Në 24 orët e fundit, është regjistruar vetëm 1 rast i ri me Covid-19, nga 1,960 testime të kryera.
Ndërkohë, nuk është shënuar asnjë humbje jete. Po në 24 orët e fundit, janë shëruar edhe 14 pacientë, teksa raste aktive mbeten 87.