Banorë të zonës, kanë publikuar video pak pas vrasjes së 27-vjeçares shqiptare në Florida të SHBA-ve.
Në videon në fjalë, dëgjohen të qarat e fëmijëve, me gjasë, të të vegjëlve të Joana Pecas.
Ajo është gjetur e vrarë pasditen e djeshme brenda makinës së saj, ku ndodheshin edhe dy fëmijët.
Sanda Bentil, oficerja që ka ndjekur nga afër ngjarjen, ka thënë se një telefonatë ka mbërritur rreth orës 17:30 në rajonin e tyre, ku i kanë transmetuar se një person ishte qëlluar.
Kur oficerët mbërritën në vendin e ngjarjes, kanë gjetur 27-vjeçaren e vdekur brenda një makine, me plagë të dukshme të shkaktuar nga një armë zjarri. Ndërkohë pranë saj ndodheshin 2 fëmijët e mitur, të padëmtuar nga sulmi, por të tmerruar.
‘Dy fëmijë të vegjël sonte do të shkojnë në shtrat pa nënën e tyre,’ tha e prekur oficerja e policisë.
Aktualisht policia vazhdon të hetojë të dyshuarit e mundshëm për krimin e rëndë që i mori jetën shqiptares. Policia iu ka bërë thirrje gjithashtu qytetarëve që të raportojnë nëse kanë të dhëna mbi ketë ngjarje.