
Mijëra të rinj dolën në rrugët e kryeqytetit për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për të mbyllur rrjetin social TikTok. Protesta, e cila u zhvillua në qendër të Tiranës, u karakterizua nga pankarta dhe slogane kundër censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes.
Mesazhi kryesor i protestës ishte “Martinin e vrau qeveria dhe jo TikTok”, duke iu referuar tragjedisë së 15-vjeçarit Martin Cani, e cila u përdor nga qeveria si argument për mbylljen e platformës. Të rinjtë denoncuan këtë veprim si një përpjekje për të kufizuar fjalën e lirë, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
Në mesin e pankartave të mbajtura nga protestuesit spikatën mesazhe të tilla si:
- “Liria e fjalës, jo censurës”
- “Shqipëria 2025: ndalohet TikTok, lejohet korrupsioni”
- “Qeveria e çoi edhe TikTok në emigracion”
- “Internet i lirë, jo internet shtetëror”
Protestës iu bashkuan edhe përfaqësues të opozitës, të cilët e cilësuan mbylljen e TikTok si një akt paniku nga ana e qeverisë për të kontrolluar informacionin dhe për të kufizuar kritikat ndaj saj.
Ky vendim ka shkaktuar një debat të gjerë në shoqëri, me kundërshtarët që argumentojnë se qeveria po shfrytëzon një ngjarje tragjike për të vendosur censurë. Protesta tregoi se të rinjtë nuk janë të gatshëm të pranojnë një mbyllje të tillë pa reaguar, duke paralajmëruar vazhdimin e qëndresës kundër këtij vendimi.