
Autoritetet shqiptare kanë finalizuar me sukses ekstradimin nga Dubai të Florenc Çapjas, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan.
Policia e Shtetit njoftoi se Çapja është deportuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit intensiv me partnerët ndërkombëtarë dhe shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit.
Florenc Çapja është i pandehur edhe në dosjen penale “Plumbi i artë”, ku akuzohet për sigurimin e kushteve me qëllim vrasjen e Sokol Sanxhaktarit.
Ngjarja për të cilën ai është dënuar përjetësisht ka ndodhur në vitin 2012, kur Gentian Beqiri, i njohur edhe si Ardian Meta, ishte në arrest shtëpie nën mbrojtjen e dy efektivëve të policisë. Ai dhe babai i tij u ekzekutuan brenda banesës, ndërsa jashtë derës ndodheshin policët, të cilët më vonë u akuzuan për “shpërdorim detyre”.
Gentiani, i paralizuar në shtrat, u qëllua me 7 plumba me silenciator, ndërsa Nezir Beqiri u mbyt më pas. Sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo vrasje ishte një akt hakmarrjeje nga një grup i strukturuar kriminal, pjesë e të cilit ishin edhe Ardjan dhe Florenc Çapja, Etien Cani, Klajdi Dokolli, Olsi Leku dhe i penduari Ervis Bardhi.
Finalizimi i ekstradimit të Florenc Çapjes është një zhvillim kyç në një nga sagat më të errëta të krimit të organizuar në Shqipëri dhe pritet të sjellë përparim në hetimet për rrjetin e gjerë të përfshirë në vrasje, porosi dhe atentate mafioze.