
Florenc Çapja ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj shtetit shqiptar gjatë seancës gjyqësore në GJKKO, ku ai u përball me masën e sigurisë për dosjen penale të vrasjes së dyfishtë të Nezir dhe Gentian Beqirajt.
Gjatë dëshmisë së tij, Çapja deklaroi se nuk është ekstraduar nga Dubai, siç është raportuar nga autoritetet, por ka ardhur me dëshirën e tij, duke shtuar se më parë ka qenë në Stamboll dhe kishte mundësinë të largohej në çdo moment.
“Nuk më ka ekstraduar askush! Kam ardhur vetë sepse dua drejtësi. S’kam asnjë lidhje me Dumanin dhe as me atë që pretendoni për Sokol Sanxhaktarin,” u shpreh Çapja para togave të zeza.
Ai hodhi poshtë çdo akuzë për komunikime të koduara nëpërmjet aplikacionit Sky ECC, duke deklaruar: “Ku e ke Sky? Unë nuk kam pasur kurrë!”
Çapja akuzoi prokurorinë për mungesë të hetimeve të thelluara, duke u shprehur se i gjithë procesi ndaj tij bazohet vetëm në dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Ervis Bardhi, që sipas tij, është manipulativ.
“Pse nuk e keni hetuar dosjen? Më keni dënuar vetëm me fjalët e një personi të vetëm, që mund të thotë çfarë të dojë për të shpëtuar veten.”
Ai mohoi gjithashtu të ketë kërkuar ndonjëherë ndihmën e Nuredin Dumanit për ndonjë krim, duke e cilësuar këtë lidhje si një trillim.
Florenc Çapja është një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në Elbasan në vitin 2012, për të cilën SPAK ka ngritur akuzat ndaj tij dhe disa të tjerëve, përfshirë Olsi Lekun, Etjen Canin dhe Klajdi Dokolin.
Masa e sigurisë e vendosur ndaj tij është “arrest në burg”, ndërsa procesi vijon të jetë nën monitorim të lartë për shkak të profilit të lartë të çështjes dhe implikimeve të forta në botën e krimit të organizuar.
Çështja po trajtohet nga GJKKO, ndërsa vetë Çapja po përpiqet të paraqesë veten si viktimë të një procesi të padrejtë dhe politik.