
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” është kthyer në arenë përplasjesh të brendshme, pas zgjedhjeve të 11 majit ku fitoi një mandat të vetëm. Ai mandat, në vend të simbolikës së fitores për idealet e reja politike, ka prodhuar një sherr të ndyrë mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit.
Në një reagim publik të zjarrtë, Adriatik Lapaj sulmoi hapur Endri Shabanin, duke e akuzuar për bllokimin e mandatit të vetëm të koalicionit në favor të dajës së tij, Zeqir Kordhonit.
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem”, – shkruan Lapaj në një status në Facebook.
Ai shprehu zhgënjimin e tij të thellë me Shabanin, të cilit thotë se i shtriu dorën e bashkëpunimit, ndërsa ky i fundit, sipas tij, garantoi listat për të futur familjarët.
“Zeqiri dhe nipi i tij Endri Shabani nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament,” – vijon Lapaj, duke akuzuar se ndaj tij është bërë padrejtësi publike, që nga Rama, te Saliu, e deri te “të rinjtë” e Lëvizjes.
Nga ana tjetër, mediat raportojnë se Zeqir Kordhoni, daja i Shabanit, po kërkon zyrtarisht mandatin e fituar në Tiranë, ndërsa vetë Shabani është përfshirë në një valë talljesh indirekte në rrjet, duke ironizuar pretendimet e Lapajt.
Ngjarja nxjerr në pah një realitet të hidhur të politikës shqiptare: idealistët promovohen si fytyra të reja, por brenda listave vendosen njerëz të besuar familjarë.
Kjo situatë ka lënë një shije të keqe tek mbështetësit e “Shqipëria Bëhet”, që menduan se po votonin për një alternativë të pastër dhe ndryshe.
Kush është Zeqir Kordhoni?
Ai është daja i Endri Shabanit dhe, sipas Adriatik Lapajt, personi që po pretendon mandatin e vetëm të koalicionit.
Pse është bërë kjo përplasje publike?
Sepse Lapaj pretendon se Shabani e ka tradhtuar marrëveshjen e bashkëpunimit për të futur në Kuvend familjarët e vet, duke lënë jashtë themeluesit idealistë si vetë ai.
A ka ndonjë garanci ligjore se mandati do i kalojë Kordhonit?
Kjo mbetet në dorën e KQZ-së dhe më pas të Gjykatës nëse ka kontestim. Aktualisht, nuk ka ende vendim përfundimtar.
Kur idealet përplasen me nepotizmin, rezultati është ky: një mandat, shumë pretendime dhe një koalicion që rrezikon të kthehet në simbol të dështimit të vetë-shpallur të rinisë politike shqiptare.