POS me detyrim, fitimet për bankat/ Si po i kthen qeveria pagesat elektronike në një taksë të fshehtë për qytetarët

0

Qeveria po e shet si “formalizim” dhe modernizim të ekonomisë. Por në realitet, ndryshimet e reja në ligjin për procedurat tatimore rrezikojnë të shndërrohen në një transferim të pastër parash nga qytetarët dhe bizneset drejt xhepave të bankave dhe arkës së shtetit.

Me ligjin e ri, bizneset detyrohen të pajisen me terminale POS dhe pagesat cash kufizohen ndjeshëm. Në letër tingëllon europiane. Në praktikë, askush nuk po flet për pyetjen më të rëndësishme: kush do ta paguajë faturën?

Sepse bankat nuk ofrojnë shërbime falas.

Nga verifikimet pranë bankave të nivelit të dytë, komisionet për transaksionet me POS lëvizin nga 2.4% deri në 3% për çdo pagesë, pa llogaritur tarifat mujore të mirëmbajtjes së terminaleve, që arrijnë deri në 1000 lekë ose 10 euro në muaj për çdo pajisje.

Dhe këtu nis problemi real.

Qeveria vendos detyrime ligjore për bizneset, por nuk vendos asnjë tavan serioz për komisionet bankare. Pra, detyron sektorin privat të përdorë një shërbim të kushtueshëm, ndërsa bankat mbeten të lira të marrin përqindje mbi çdo transaksion.

Ky nuk është formalizim inteligjent. Ky është krijimi me ligj i një tregu të garantuar për bankat.

Imagjinoni një familje shqiptare që mezi kursen për pushimet verore dhe shkon në një agjenci turistike për të paguar 5,000 euro – pikërisht kufiri maksimal i pagesës cash. Me komisionet aktuale, vetëm përdorimi i POS mund të sjellë rreth 125 euro kosto shtesë.

125 euro.

Jo për hotelin. Jo për agjencinë. Jo për një shërbim më të mirë.

Por vetëm për bankën.

Dhe absurdi vazhdon. Agjencia turistike që kalon këtë pagesë duhet të paguajë edhe tatim mbi fitimin për diferencën e krijuar nga ky transaksion, duke e kthyer gjithë skemën në një cikël ku qytetari paguan më shumë, biznesi fiton më pak dhe banka fiton automatikisht.

Kjo është arsyeja pse shumë biznese po e shohin reformën jo si modernizim, por si një taksë të re të maskuar.

Sepse një qeveri serioze nuk e bën të detyrueshme një teknologji pa garantuar më parë që kostot janë të përballueshme. Nuk imponon tranzicionin pa u ulur me grupet e interesit, me bizneset, me operatorët financiarë dhe me konsumatorët. Nuk krijon detyrime ligjore duke lënë bankat të vendosin çmime pothuajse pa kufi.

Në çdo ekonomi normale, kur shteti imponon një sistem të ri pagesash, negocion ulje drastike komisionesh, subvencionon kostot fillestare ose vendos tavane mbrojtëse për qytetarët. Këtu po ndodh e kundërta: qytetarit po i thuhet “paguaj më shumë dhe quaje progres”.

Dhe ironia është brutale.

Në emër të “formalizimit”, po krijohet një sistem ku çdo pagesë kalon nga duart e bankave dhe gjeneron fitim të garantuar për to. Ndërkohë, i njëjti shtet që flet për digjitalizim dhe standarde europiane vazhdon të ketë spitale ku të moshuarit presin në këmbë për analiza, zyra publike pa kushte minimale dhe shërbime bazike që shpesh funksionojnë me ritmin e viteve ’90.

Qeveria kërkon transparencë totale nga qytetari dhe biznesi. Por qytetarët kanë të drejtë të pyesin: kush përfiton realisht nga kjo reformë?

Sepse kur një ligj i detyron miliona transaksione të kalojnë në mënyrë të detyrueshme përmes bankave, ndërsa komisionet mbeten të larta dhe të pakontrolluara, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me formalizim ekonomik.

Kemi të bëjmë me një transferim të organizuar të parasë nga xhepat e qytetarëve drejt sistemit bankar, me bekimin e shtetit.

Artikulli i mëparshëmAfD ndryshon tonin për Ballkanin: Gjermania kërkon rol më të fortë në rajon
Artikulli i radhësTë shtëna në Antalia, në gjendje kritike vëllai i ish-ministrit turk Mevlüt Çavuşoğlu