Gushti ka qenë befasues për mbipopullimin e bregdetit nga veriu në jug të Shqipërisë.
Prenotimet kanë dalë jashtë parashikimeve pesimiste të vetë shoqatave turistike dhe sipërmarrësve të fushës.
Strukturat akomoduese si resorte, hotele, vila, apartamente, kampingje, etj këtë vit kanë përfaqësuar më së shumti hashtagun #pushoshqip, pra ka mbizotëruar turizmi patriotik, që nga aktorët e fushës argumentohet me bllokimin e kufijve dhe të lëvizjes për shkak të pandemisë.
Por fenomeni që është shfaqur në gusht, megjithë fluksin e pushuesëve, nuk ka përcjell me të njëtën valë edhe tek kosumi.
Anisa pushoi me familjen dhe grupin e saj të shoqërisë, të cilët edhe ata ishin me familjet e tyre në pjesën fundore të Himarës.
Ajo qëndroi rreth një muaj atje në një apartament të marrë me qira.
“Kur je pranë natyrës kënaqesh dhe në këtë situatë shëndetësore, ku mund të jesh më i sigurt se pranë diellit dhe detit? Por pjesa tjetër nuk ishte e kënaqshme. Çmimet ishin po aq sa vitin e shkuar ose më të larta. Dhe në restorante nuk kishte menu të diversifikuar që t’i mund të zgjidhje diçka relativisht më të lirë. Ne familjarisht kemi disa vite rresht që vijmë në Himarë dhe kemi ngrënë çdo vit në restorant, por këtë vit vetëm dy herë u ulëm. Pasta me fruta deti niste nga 750 lekë dhe çmimet e pjatave të tjera vinin në rritje. Kemi gatuar në shtëpi”- thotë Anisa për gazetën “Si”.
Ajo që vuri re Anisa gjatë muajit që qëndroi në Himarë me pushime, por gjatë ditëve lëvizi dhe në plazhe të tjera si Ksamili, Saranda, etj, “kishte shumë pushues, më shumë se vitet e tjera në të njëtën periudhë dhe kryesisht ishin familje të mëdha; vëllezër, motra me familjet respektive dhe qëndronin në të njëjtën çadër, por nuk konsumonin nëpër restorante. Kam vënë re që ishin kryesisht me bukë me vete siç themi ne. Restorantet ishin pak ose aspak të frekuentuar në zonat ku unë kam lëvizur”.
E njëjta situatë ka qenë pothuajse në të gjitha rajonet e pushimit. Çmime të njëjta ose dhe më të larta dhe frikë e pasiguri për të konsumuar si përherë në pushime.
“Unë isha me familjen në Sarandë. Që nga dita e parë deri tek e fundit nuk mund ta përmbyllja ditën pa 10 mijë lekë. Që sa hapje sytë e dilje në mëngjes mes parkimit 500 lekë, kafeve dhe konsumimit të dëshirave të fëmijëve të ikte 2 mijë lekshi”- thotë për gazetën “Si” Jani.
Megjithatë, pavarësisht situatës jonormale të shkaktuar nga kriza shëndetësore globale, ka nga ata që vazhdojnë të kenë të njëjtën qasje: “Kur shkon me pushime e merr parasysh dhe e di që janë çmime turizmi. Unë erdha dy herë në Shqipëri për disa ditë; një herë me shoqëri, një herë me familjen. Çmimet nuk ishin të lira, përkundrazi, por nuk u habita sepse e dija që po shkoja për të pushuar”- thotë Leni nga Prishtina.
Megjithatë është e dukshme që pavarësisht fluksit të njerzve në bregdet, konsumi ka çaluar. Këtë e konfirmojnë edhe krerët e shoqatave të Bareve dhe Restoranteve, Kujtim Dervishi dhe Enri Jahaj.
Dervishi thotë se jemi habitur nga fluksi i pushuesëve “Nuk e prisnim me atë çfarë pamë deri në korrik. Por fatkeqësisht kjo nuk është reflektuar në konsum. Restorantet e shtrenjtë kanë pasur klientelë, sepse ata që kanë një gjendje të mirë të qëndrueshme ekonomike, nuk kanë hequr dorë nga standarti edhe për pushimet këtë vit, pjesa tjetër ka qenë dobët sepse çmimet nuk kanë mundur të ulen. Sipërmarrësit kanë punuar pak, kanë patur për të paguar punonjësit dhe taksat, nuk kanë patur mundësi të ulin çmimet. Në të njëjtën kohë qytetarët janë të pasigurt për të ardhmen, një pjesë e tyre kanë ngelur pa punë, pa të ardhura, kështu që situata është reflektuar edhe tek konsumi në restorantet e bregdetit”.
Enri Jahaj e sheh më pesimiste situatën, veçanërisht duke parashikuar muajt që do të vijnë. Pavarësisht se është vënë re një fluks më i madh pushuesish se vitin e kaluar për shkak të pamundësisë për të pushuar jashtë, thotë ai, konsumi ka qenë në disproporcion.
“Nëse vitin e kaluar një pushues shpenzonte mesatarisht për një vakt në restorant, qoftë kjo drekë apo darkë 1500 – 2500 lekë, këtë vit kjo shifër është ulur në 500-1000 lekë. Praktikisht pushuesit e nivelit mesatar dhe poshtë kanë qenë me bukë me vete, pra kanë gatuar në banesë ose kanë ngrënë nga supermarket sepse ka rënë fuqia blerëse nga frika psikologjike që lidhet me pasigurinë për të ardhmen e afërt duke nisur nga muaji shtator kur trumbetohet për një valë të dytë të virusit”- thotë Jahaj.
Sipas Dervishti ky vit ishte turizëm patriotik ku në jug 95% ishin shqiptarë, një pjesë kosovarë dhe shumë pak të huaj, kurse në pjesën e Golemit 50% me 50% sepse strukturat që kanë patur kontrata me partnerët polakë, bjellorusë, etj, i kanë realizuar ato për muajin gusht dhe aty konsumi ka qenë pak më i lartë.
Megjithatë pavarësisht dyndjes në bregdet në muajin gusht, tregu i turizmit vazhdon të mbetet një nga tregjet më të goditura në vend nga kriza e shkaktuar nga pandemia, pasi ekonomia shqiptare është e varur nga ky sketor dhe renditet ndër 30 vendet në botë që janë më të varura prej turizmit.