Ekonomia, apo shëndeti?!

0

Transparenca dhe presioni i taksapaguesve për mirëmenaxhimin e parave të tyre tashmë janë më të rëndësishme se kurrë. Ndaj, për Shqipërinë, zgjedhja e dilemës në të cilën është futur e gjithë bota, në fakt është e thjeshtë: Shëndeti dhe mirëqeverisja!

Në valën e dytë të koronavirusit, e gjithë bota është vënë sërish përpara zgjedhjeve të vështira. Rritja e rasteve po ushtron presion mbi sistemet shëndetësore edhe të vendeve të zhvilluara, duke shtyrë shumë vende drejt kufizimeve të pjesshme, por duke i rezistuar një mbyllje të plotë, për shkak të pasojave karastrofike që kjo kishte në ekonomi. Por, me dimrin përpara, situata mbetet e vështirë dhe të paktën deri në janar, mund të dalë edhe jashtë parashikimeve.

Në Shqipëri, të dhënat e fundit tregojnë se virusi po godet me gjithë fuqinë e tij. Në tremujorin e tretë, vdekjet ishin 30% më të larta sesa mesatarja e 2011-2019, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, duke sugjeruar se kosto në jetë të humbura është të paktën dy herë më e lartë sesa ajo që deklarohet. Me emergjencën shëndetësore në kulmin e saj, tremujori i fundit pritet të jetë me shifra edhe më të rënda.

Ashtu si dhe në valën e parë, për të gjitha shtetet, përparësia kanë qenë njerëzit. Jeta është e çmuar dhe nuk kthehet më, ndërsa ekonomia rikuperohet, të paktën brenda një periudhe dyvjeçare mund të rikthehet në nivelet e parakrizës, sipas vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare. Kjo përqasje besohet se do të vijojë të mbizotërojë edhe në muajt në vijim, pavarësisht pasojave të rënda që mund të ketë në ekonomi.

Ndaj, në gjithë botën, roli i shtetit po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, si për të menaxhuar krizën shëndetësore akute, ashtu dhe për të lehtësuar rimëkëmbjen ekonomike dhe për të menaxhuar pasojat afatgjata që do të mbeten në ekonomi, që nga ngadalësimi i rritjes, papunësia, shtimi i varfërisë etj.

Në të njëjtën kohë, kriza i ka dhënë theks më të madh aftësisë së qeverive për të marrë vendime të politikave të shëndosha, për të mobilizuar burimet e nevojshme dhe për të koordinuar veprimet ndërmjet palëve të interesuara të shumta (si në nivelin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar).

Fatkeqësisht, Shqipëria po çalon shumë në këtë drejtim. Një raport i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) thekson se qeverisja efektive është thelbësore për të ofruar një rikuperim elastik dhe gjithëpërfshirës. Raporti konstatoi se në vitin 2020, mirëqeverisja është përkeqësuar në mënyrë domethënëse në Shqipëri, përfshirë dhe eficiencën e gjykatave dhe në perceptimin e korrupsionit dhe stabilitetit politik.

Sipas raportit të BERZH, nënkomponentët e ndryshëm të indeksit të qeverisjes tregojnë se qeveritë ende duhet të bëjnë më shumë për të përmirësuar komunikimin me qytetarët e tyre, për t’i bërë shpenzimet publike më transparente dhe për të forcuar kapacitetin për politikëbërje të shëndosha.

“Monitor” e ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për shpërdorimin që i bëhet parave të buxhetit, që realisht janë fondet e derdhura nga taksapaguesit. Edhe përpara krizës, menaxhimi fiskal i buxhetit linte shumë për të dëshiruar. Rendja drejt projekteve të Partneritetit Publik-Privat me raport të dyshimtë kosto-përfitime ka rritur rrezikun për financat publike (pagesat jashtë bilancit që duhen kryer në dekadat në vijim janë rreth 9.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto). Borxhi nuk u arrit të ulej, duke e lënë Shqipërinë pa një amortizator në momentin që ndodhën fatkeqësitë natyrore, si tërmeti i 26 nëntorit dhe kriza e paprecedentë e COVID-19.

Dhe ajo që është më e keqja edhe se, në periudha të vështira, shpërdorimi vazhdon dhe transparenca është minimale. Buxheti vijon të jetë në shkelje të ligjit, duke prokuruar tenderë pas datës 15 tetor (një vendim i qeverisë përcakton se pas datës 15 tetor të çdo viti buxhetor, njësitë e qeverisjes së përgjithshme nuk mund të publikojnë njoftimin për prokurimin e mallrave/punëve/shërbimeve, të cilat nuk janë përfshirë në Regjistrin e Prokurimeve Publike, deri në këtë datë).

Ndryshe nga individët që po kursejnë për një ditë të vështirë (si në Shqipëri, edhe në vende të tjera, depozitat po arrijnë nivel rekord), qeveria, në mënyrë të papërgjegjshme, po kërkon të shpenzojë paratë e taksapaguesve për projekte elektorale.

Transparenca dhe presioni i taksapaguesve për mirëmenaxhimin e parave të tyre tashmë janë më të rëndësishme se kurrë. Ndaj, për Shqipërinë, zgjedhja e dilemës në të cilën është futur e gjithë bota, në fakt është e thjeshtë: Shëndeti dhe mirëqeverisja!/ Monitor

Artikulli i mëparshëmFamilja shkodrane mbjell kanabis në Tropojë. Policia zhvillon operacionin “Lekbibaj” dhe arreston…
Artikulli i radhësTregu 21 mln euro; Renditja e 30 shoqërive më të mëdha të auditimit dhe konsulencës në Shqipëri