Koronavirusi mund të arrijë të prekë edhe trurin e njeriut, pasi merret nga një person përmes hundës dhe më pas të ‘kapet fort’ në mukusin e saj.
Ky është përfundimi i një studimi të publikuar së fundmi raporton “Daily Mail”. Kjo është prova e parë e bërë publike që koronavirusi mund të infektojë neuronet e trurit përmes rrugës mukozale.
Gjatë shpërthimit të pandemisë, tashmë që prej një viti është bërë e qartë se koronavirusi, i quajtur SARS-CoV-2, nuk shkakton vetëm probleme me frymëmarrjen, por edhe probleme në sistemin nervor.
Për shembull, një në tre raporton simptoma të tilla si humbja e nuhatjes ose shijes, dhimbje koke, lodhje, marramendje dhe të përziera.
Shkencëtarët në Gjermani kryen autopsi në 33 pacientë që vdiqën nga Covid-19 dhe studiuan mukusin në pjesën e prapme të hundës, mbi gojën ku fyti bashkohet me zgavrën e hundës, si dhe mostrat e indeve të trurit.
Nga autopsitë u pa se materiali gjenetik i koronavirusit ishte i pranishëm në sasi më të mëdha në mukusin e zgavrës së hundës, por proteinat spike të SARS-CoV-2 , të cilat dalin nga virusi dhe kapen në receptorët njerëzorë për të infektuar qelizat u gjetën gjithashtu edhe në tru.
Dr, Frank Heppner, bashkëautor i studimit nga Charité – Universitätsmedizin Berlin, thotë se: ‘Virusi sapo të hyjë në mukozën e nuhatjes, duket se përdor lidhje neuroanatomike, siç është nervi i nuhatjes, për të arritur në tru.’
Por, saktësisht se si virusi arrin në tru nga momenti që është në mukozë është ende e panjohur, por po vazhdojnë kërkimet për të zbardhur misterin, thonë ekspertët.
‘Të dhënat tona sugjerojnë që virusi lëviz nga njëra qelizë nervore në një tjetër, në mënyrë që të arrijë trurin,’ shpjegon Dr Helena Radbruch, një nga akademikët që ka punuar në studim.
“Është e mundshme, megjithatë, që virusi të transportohet edhe përmes enëve të gjakut, pasi prova e virusit u gjet gjithashtu në muret e enëve të gjakut në tru.”
Profesor Heppner tha: ‘Në sytë tanë, prania e virusit në qelizat nervore të mukozës së nuhatjes siguron shpjegim të mirë për simptomat neurologjike që gjenden tek pacientët, të tilla si humbja e ndjenjës së nuhatjes ose shijes. Ne gjithashtu e gjetëm atë në zona të trurit që kontrollojnë funksionet vitale, të tilla si frymëmarrja”.
Por theksoi ai: ‘Nuk mund të përjashtohet që në pacientët të cilët ndodhen në gjendje të rëndë me Covid-19, prania e virusit në këto zona të trurit do të ketë një ndikim përkeqësues në funksionin e frymëmarrjes, duke shtuar probleme të frymëmarrjes për shkak të infeksionit të mushkërive”.
Por profesorja, Gitte Moos Knudsen nga Spitali Universitar i Kopenhagës, e cila nuk ishte i përfshirë në studim, thotë se gjetjet që SARS-CoV-2 futet në tru përmes nervit olaktor nuk janë befasuese.
“Hyrja e sistemit nervor qendror (SNQ) përmes epitelit të hundës është një mënyrë e njohur e marrjes virale dhe nuk do të ishte unike për SARS-CoV-2“, thotë ajo