Bujqësia do të vijojë rritjen gjatë vitit 2021, e shtyrë nga zgjerimi i sipërfaqeve të mbjella me perime, investimet në zinxhirin e magazinimit dhe eksportit, si dhe rritjes së kërkesës së jashtme për prodhimet shqiptare.
Kriza e pandemisë që ka goditur të gjithë sektorët e ekonomisë e ka ndikuar më pak zinxhirin e furnizimit ushqimor. Në vitin 2020, në janar-tetor, eksportet e prodhimeve bujqësore u rritën me 10%, me vlerë 32 miliardë lekë (257 milionë euro).
Ushqimet u renditën si grupi i tretë më i madh, duke zënë 14% totalit. Rezultatet pozitive u udhëhoqën nga shitjet e perimeve, të cilat shënuan rritje vjetore me 14% në 10-mujor, duke arritur vlerën e 7.4 miliardë lekëve, ose 60 milionë eurove. Edhe për vitin 2021, rritja në sektorin e bujqësisë do të vijë nga zhvillimet pozitive në hallkën e magazinimit dhe eksportit.
Përfaqësues të kompanisë “Doni Fruits”, eksportuesi më i madh në vend i prodhimeve bujqësore, thanë se eksportet ishin më të larta në 2020-n. Ata parashikojnë zgjerim të aktivitetit këtë vit, prej kontratave të reja dhe rritjes së sasive të eksportit. “Doni Fruits” eksporton në 35 vende të Europës dhe së fundmi, ka nënshkruar një kontratë furnizimi në Arabinë Saudite. Një pjesë e suksesit ka ardhur falë përmirësimit të zinxhirit të vlerës, pasi kompanitë eksportuese po asistojnë me këshilla fermerët dhe po sjellin fara dhe fidanë që të prodhojnë për kërkesën e vendeve partnere.
Sektori i prodhimit, hallka që siguron fitimet më të ulëta në bujqësi po rrit, vit pas viti, rendimentin si pasojë e përmirësimit të kultivarëve dhe mënyrës së trajtimit. Stavri Gjini, i cili drejton një shoqatë fermerësh në Myzeqe, pohoi se pandemia nuk e ka ndërprerë asnjë ditë punën në fushë. Gjini thotë se kualiteti i farave dhe fidanëve, si dhe plehrave, është përmirësuar dhe për rrjedhojë, prodhimet dhe shitjet po përmirësohen.
Rritja më e lartë e prodhimit pritet te prodhimet tipike të fushës, si domatja, bostanorët dhe kastraveci, thotë z. Gjini. Eksportet e këtyre prodhimeve shënuan rritje dyshifrore gjatë 10-mujorit 2020 në raport me një vit më parë, në kulmin e një krize ekonomike të pashoqe. Në dekadën e fundit, eksportet e prodhimeve bujqësore janë rritur me ritme të larta prej bazës së ulët, rritjes së kërkesës në tregjet e huaja dhe prodhimit më të hershëm sezonal në vendin tonë.
Sipas eksportuesve, bujqësia do të vijojë rritjen edhe në vitin në vijim për shkak të përmirësimit të bashkëpunimit në të gjithë zinxhirin e saj. Kastriot Gogo, i cili prej vitesh operon në fushën e eksportit të prodhimeve bujqësore, shprehet se, pavarësisht vështirësive është rritur bashkëpunimi në zinxhirin e bujqësisë. “Ne i këshillojmë dhe i asistojmë, madje i furnizojmë fermerët me të cilët bashkëpunojmë me fidanë dhe plehra, me qëllim që të përfitojmë prodhimet cilësore që Europa kërkon”, tha ai.
Dy vitet e fundit, cilësia e prodhimeve është përmirësuar dukshëm pas disa incidenteve që u shfaqën vitet e kaluara ku prej dyshimeve, për cilësinë, disa kamionë u kthyen në pikat kufitare.
Pandemia ka nxitur të ushqyerit e shëndetshëm në të gjithë botën. Regjimi i kontrolluar ushqimor me fruta e perime të freskëta dhe çajet janë parë si profilaktike për të forcuar imunitetin. Kjo tendencë e ka mbajtur kërkesën për ushqime të qëndrueshme, në një kohë që kërkesa për mallra të tjera joushqimorë ka pësuar rënie.
Krahas frutave dhe perimeve të freskëta pritet të ketë rritje edhe në eksportet e frutave dhe zarzavateve të përpunuara prej investimeve të reja në këtë hallkë të zinxhirit. Ndonëse hapësira për rritjen e eksporteve në këtë hallkë të rëndësishme të bujqësisë është ende shumë e madhe, sinjalet e dy viteve të fundit janë pozitive. Në fund të 10-mujorit 2020, eksportet e këtij grupi arritën 2.4 miliardë lekë, me një rritje 22% në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Rritja do të nxitet edhe prej investimeve me cikël të mbyllur në bujqësi. Kompania “Doni Fruits”, përveç ndërtimit të magazinave frigoriferike, po merr toka me qira, të cilat i mbjell me fidanë dhe fara të importuara nga vendet e BE-së, pastaj i depoziton në pikën e grumbullimit me kushte frigoriferike, ndërtimi i së cilës përfundoi më 2020 dhe më tej i eksporton ato.
INTERVISTA
Humbjet në blegtori do të thellohen në vitin 2021
Flet eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli
Kriza nga COVID-19 do të thellojë humbjet te krerët e gjedhëve për qumësht në 6-mujorin e parë të vitit 2021. Çmimi i lartë i naftës që përdor fermeri konsiderohet si një nga faktorët kryesorë të thellimit të humbjeve, sipas ekspertit të bujqësisë, z. Ervin Resuli.
Ai parashikon se, për shkak të mungesës së politikave mbështetëse nga qeveria dhe çmimeve të leverdishme të qumështit në tregun e Kosovës dhe të Serbisë, fabrikat shqiptare do të kthehen në fasoneri për paketim të qumështit vetëm për tregun brenda vendit.
Çfarë problematikash krijoi pandemia te blegtoria në vitin që lamë pas?
Për 2020, blegtoria ka qenë sektori më i goditur në krahasim me bujqësinë, të cilat kanë pasur probleme të përgjithshme, me përjashtim të periudhës në mars, me ndalimin e lëvizjes së kamionëve dhe në muajt nëntor – dhjetor, kur çmimi i domates pati rënie nën koston e prodhimit, si arsye e mostërheqjes së eksportit.
Blegtoria, fatkeqësisht, mbështetet me më pak subvencione për 2020, pasi maksimumi që mund të përfitojë një blegtor është 500,000 lekë në krahasim me 2019-n, kur mund të përfitonte deri në 700,000 lekë. Në 6-mujorin e parë të 2020-s, blegtoria ka vazhduar me problemet e përgjithshme.
Qumështi është tërhequr dhe përpunuar normalisht, ndërsa mishi ka marrë goditje, pasi restorantet, eventet dhe festat familjare u tronditën nga pandemia. Sezoni turistik nuk prodhoi konsumin e pritur për nënproduktet e qumështit dhe mishit e për pasojë, në 6-mujorin e dytë, blegtoria, në tërësi, mori një goditje të fortë.
Sektori i qumështit kishte konservuar sasi të konsiderueshme nga 6- mujori i parë i 2020-s të nënprodukteve dhe priste t’i shiste në sezonin e verës, gjë e cila nuk u mundësua, sepse tregu nuk kishte kërkesë. Në periudhën nëntor-dhjetor, fermerët e qumështit u përballën me dy faktorë. Së pari, fabrikat dhe baxhot nuk tërhoqën qumështin e vendit për arsye të uljes së konsumit në vend.
Së dyti, tregu i Kosovës, pas heqjes së taksës 100% të produkteve me Serbinë, mori një goditje në sektorin e qumështit, gjë që solli ulje të litrit të qumështit deri në 0.23 cent (28 lekë) dhe orientoi fabrikat e mëdha drejt një tregu tjetër me leverdi ekonomike. Pandemia thelloi rezultatet negative në bujqësi dhe blegtori, pasi si sektor me rrezik të lartë u përball me probleme në zhvillimin dhe ecurinë e tij. Këtu përfshihet edhe indiferentizmi i qeverisë apo Ministrisë së Bujqësisë, të cilat ndryshe nga rajoni, Europa apo bota, nuk dhanë ndonjë paketë ndihme apo rritje të subvencioneve.
Çfarë pritet të ndodhë në vitin 2021 me blegtorinë?
Për vitin 2021, nëse pandemia do të vazhdojë, gjë që ka shumë gjasa, sidomos në 6-mujorin e parë, do të përballemi me thellim të humbjeve të krerëve të gjedhëve për qumësht. Nuk e dimë ndikimin që do të sjellë ulja e çmimit të naftës, që është trumbetuar shumë nga qeveria dhe ministria, por nafta është një nga faktorët e përkeqësimit të gjendjes. Vëmendja e qeverisë për fermerët në tërësi do të jetë shumë e vogël, duke marrë në konsideratë që ky është edhe një vit zgjedhor. Çmimi joshësh i qumështit në rajone do t’i orientojë fabrikat e mëdha drejt qumështit të Serbisë dhe atij në Kosovë.
Për këtë arsye, qumështi i fermerëve tanë do të mbetet dhe fabrikat e qumështit do të jenë një lloj fasonerie ku paketojnë qumësht për tregun vendas. Nëse nuk ka buxhet të mjaftueshëm për fermerët për vitin 2021, dhe gjasat janë të vogla, për bujqësinë dhe blegtorinë do të jetë një vit krize e rënduar, ku ne mund të humbasim një sasi krerësh bagëtish për qumësht dhe mish dhe do të mbjellim më pak në sera./MONITOR