Ajo që ishte në fillim një dokument, që tregonte pëlqimin e një lideri për qasjen e njerëzve të tjerë në territorin e tij, vazhdoi të evoluojë për të pasqyruar ndryshimin e nevojave shoqërore dhe mënyrat e funksionimit.
Që në vitin 445 Para Erës Sonë, në Librin e Nehemias në Dhjatën e Vjetër të Biblës, Nehemia ishte ngarkuar që të ndihmonte rindërtimin e Jeruzalemit. Dhe për ta bërë këtë, atij iu dha një dokument i veçantë nga Mbreti, i cili i garantonte kalimin e sigurt në Mbretërinë e Judës.
Ai cilësohet si hera e parë e regjistruar e konceptit të pasaportës. Që në vitin 206 Para Erës Sonë, Dinastia Kineze Han, nisi që të kontrollonte lëvizjen e njerëzve nëpër territoret perandorake përmes një dokumenti. Ai tregonte moshën, gjatësinë dhe tiparet e tjera trupore të individit.
Cilido që dëshironte të lëvizte përtej kufijve, duhej ta paraqiste këtë dokument në pikate ndryshme të kontrollit. Edhe bota myslimane ka përdorur herët dokumentet e para identifikuese, të cilat i paraprinë pasaportës së ditëve të sotme.
Kalifati Islamik Mesjetar, do të lëshonte një ‘bara’a’ për qytetarët që paguanin taksat, si dëshmi e pagesës së tyre. Në fakt, ata që nuk e zotëronin një dokument të tillë, nuk mund të udhëtonin nga një rajon në tjetrin. Qytetarëve u kërkohej ta paraqisnin ‘bara’a’ e tyre në pika të ndryshme kontrolli përgjatë udhëtimeve.
Ajo ishte shumë afër idesë së një pasaporte “moderne”, pasi ilustronte një dokument zyrtar udhëtimi, të siguruar nga shteti për qytetarët e tij. Në Evropën Kontinentale, në kohën e Mbretit Henri V në Britaninë e Madhe, nisën të lëshohen ato që u bënë të njohura si “dokumente të sjelljes së sigurt” kryesisht për të huajt që udhëtonin në brendësi të vendit për qëllime tregtare.
Ky dokument u jepej nganjëherë edhe qytetarëve, por kjo në këmbim të një tarife. Akti i Parlamentit Britanik i vitit 1414, mund të konsiderohet si përmendja e parë e regjistruar e “pasaportës” në historinë moderne. Gjithsesi, origjina e kësaj fjale mbetet ende sot e diskutueshme.
Në vitin 1420 në Francë, Mbreti Luigji XI nisi të lëshojë disa certifikata, që autorizonin qarkullimin e lirë të mallrave. Në vitin 1464, ky koncept nisi të përdorej edhe pse nënjë mënyrë të kufizuar për publikun e gjerë francez.
Për këtë arsye,disa argumentojnë se origjina e kësaj fjale është britanike, nga fjalët “pass” dhe “port”, që i referohej hyrjes në portet detare. Të tjerë besojnë se fjala vjen nga termi francez “port”, duke iu referuar portës hyrëse të qytetit.
Të dyja interpretimet bashkohen në një gjë:këto dokumente u jepeshin kryesisht të huajve, dhe jo banorëve vendas. Kjo ide ndryshoi me kalimin e viteve, sidomos pas mobilizimit të shtuar të njerëzve në vitet para Revolucionit Industrial. Gjatë asaj kohe, qeveritë nisën të kërkojnë pasaporta si një mjet sigurie dhe identifikimi.
Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz mendonin të emigronin në vendet e huaja në kërkim të mundësive më të mira, autoritetet donin të gjenin një mënyrë efektive për ta menaxhuar këtë fluks. Problemi ishte fluksi i pakontrollueshëm i njerëzve që emigronin në fund të viteve 1800, gjë që çoi në shfaqjen e pasaportës.
Franca ishte vendi i parë që plotësoi kërkesat për pasaportë në vitin 1861, ndërsa shumica e vendeve të tjera evropiane ndoqën me shpejtësi shembullin e saj. Në atë kohë kishte një debat mbi domosdoshmërinë e përshkrimeve fizike, me disa që argumentuan se kjo ishte poshtëruese për individët që i kishin ato. Me masivizimin e fotografisë në fillim të viteve 1900, fotot zëvendësuan gradualisht përshkrimet me fjalë. Qytetarëve iu kërkua të dorëzonin një foto sipas zgjedhjes së tyre për t’u përdorur në dokumentin e tyre të lëshuar nga shteti. Madje disa familje vendosën të dërgojnë foto në grup, të cilat u pranuan zyrtarisht.
Duke nisur nga Lufta e Parë Botërore, u ra dakord që pavarësisht fotos kërkohej ende një formë e përshkrimit fizik, kryesisht për shkak të frikës në rritje të spiunëve gjermanë në Britani. Pasaportat u bënë një kriter për udhëtimet ndërkombëtare menjëherë pas Luftës
së Parë Botërore.
Ndërkohë, lëvizja e parë drejt standardizimit të pasaportës moderne ndodhi në vitin 1920, nëpërmjet Lidhjes së Kombeve. Nga viti 1947, ishte Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO), ajo që vazhdon ende sot të vendosë standardet e pasaportave.
Me futjen e teknologjisë biometrike për herë të parë në Malajzi në vitin 1998, pasaportat sot janë bërë gjithnjë e më të sigurta, dhe më të vështira për t’u falsifikuar. Gjithashtu, ato janë në gjendje të sigurojnë më shumë informacion në lidhje me mbajtësit e tyre, përmes përdorimit të një çipi elektronik me mikroprocesor. Që nga janari 2019, 150 vende gjithsej kishin filluar të prodhonin pasaporta biometrike për shtetasit e tyre.