Nisin krisjet e para brenda Partisë Socialiste. Lënia jashtë listave të kandidatëve për deputetë dhe renditja në pozicione jofituese, ka acaruar disa nga ligjvënësit aktualë socialistë. Pak ditë më parë në mbledhje grupi, kryeministri Edi Rama përmes Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka kërkuar angazhim nga deputetët aktualë e sidomos ata që nuk janë më pjesë e skuadrës së 25 prillit, ndërsa iu ka dhënë garanci se në mandatin e tretë ata do të jenë pjesë e pushtetit vendor ose qendror. Por dje të përjashtuarit nga lista e kandidatëve kanë filluar të shfaqin pakënaqësitë e tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje vijimin e bashkëpunimit mes tyre dhe PS. Ata kanë shfrytëzuar komisionet parlamentare për të treguar se janë qejfmbetur, ndërkohë që sinjal i më i freskët është shënuar paraditen e djeshme.
Kodheli e Shameti kritika Gjonajt
Më konkretisht, teksa ishte duke u zhvilluar mbledhja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, deputeti i lënë jashtë listave të kandidatëve, Adnor Shameti, i cili do të gëzojë mandatin e ligjvënësit edhe për disa muaj, hodhi një akuzë ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj që në zhargon mund të quhet “një kunjë” apo “një thumb” ndaj kandidates në vend të sigurt. Prerë dhe qartë deputeti Shameti falënderoi ministren Gjonaj që gjeti kohë për të qenë e pranishme në një mbledhje komisioni parlamentar. “Duke falënderuar ministren që pas katër vitesh gjeti kohë nga koha e saj e vyer për të qenë në Komitetin për Politikën e Jashtme pasi në marrëveshje kemi bërë gjithë kohës, por e gjej rastin ta vlerësojë për impenjimin e saj individual pasi është hera e parë që e kemi në komitet të jashtëm”, deklaroi deputeti socialist, Adnor Shameti. Por i menjëhershëm ishte reagimi i ministres Gjonaj, e cila krahas argumenteve pozitive të marrëveshjes për të cilën ishte paraqitur, dha edhe një përgjigje për deputetin Shameti. “Unë kam qenë e pranishme në komision sa herë që më është bërë ftesë dhe sa herë jam thirrur”, deklaroi ministrja Gjonaj. Por kritikat ndaj ministrave të kabinetit qeveritar “Rama”, artikuloi edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, njëherësh kryetare e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli. Kjo e fundit është pozicionuar në vendet e fundit të listës së Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës, e cila u zëvendësua nga prurjet e reja. Kështu e vënë përpara kësaj situate, ku diskutohet nëse do të jetë apo jo deputete pas 25 prillit, zonja Kodheli u shfaq në një farë mënyre e hatërmbetur, duke u rreshtuar krah deputetit Shameti. “Kolegu Shameti e kishte për të gjithë ata koleg tuajin që është dashur të kemi prezencën e tyre dhe nuk kanë qenë prezent”, deklaroi ish-ministrja Kodheli. Më pas, pas diskutimeve dhe pavarësisht fërkimeve, Komisioni i Jashtëm miratoi marrëveshjen e ekstradimit me SHBA pa asnjë votë kundër.
Reagon Gjonaj
Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë fjalës së saj në Komisionin e Jashtëm vlerësoi dje se marrëveshja e ekstradimit me SHBA-në, sipas saj, është shenjë e qartë e vullnetit të palëkundur të qeverisë shqiptare në drejtim të zbatimit të ligjit, të forcimit të shtetit të së drejtës, por njëkohësisht është edhe një provë e mbështetjes së pakursyer të aleates sonë SHBA në realizimin e këtij objektivi të përbashkët. “Kjo është një marrëveshje që shënon një pikë historike, e nënshkruar pas 87 vjetësh. Është një sukses i jashtëzakonshëm pasi pas shumë vitesh që kishte mbetur si marrëveshje, e cila përtej faktit që kishin filluar diskutimet shumë herët, nuk kishte arritur të përfundohej nga pala shqiptare. Dhe besoj është një sukses, jo vetëm që ne arritëm ta përfundojmë, por edhe nënshkrimi i saj në vetvete dhe zëvendësimi i traktatit të vjetër përbën një sukses edhe për marrëdhëniet juridiksionale gjyqësore midis dy shteteve, shtetit shqiptar dhe SHBA”, deklaroi Gjonaj.