Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të premten shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për kalimin e Kopshtit Botanik nën pronësinë e Bashkisë së Tiranës, duke argumentuar se ai u takon pedagogëve dhe studentëve.
Por në rrjet u bënë virale fjalët e gjyqtarit të çështjes.
Pasi u njoh me konkluzionet e palëve, gjyqtari Bezart Kaçkini paraqiti një arsyetim emocional dhe personal, përpara se të shpallte shfuqizimin e vendimit të qeverisë.
“Nuk kemi përditë procese të tilla, ku të ndërthuren kaq interesa politike e filozofike. Arsimi është arritja më e madhe e njerëzimit. Pa arsim nuk ka kapërcim. Përmes arsimit cilësor kam arritur të bëhem gjyqtar,” parashtroi Kaçkini dhe kujtoi se i ati i kishte përcjellë dëshirën për arsimin.
“Arsimi i lartë bazohet në autonomi dhe autonomi pa auditor e vendimarrje nuk ka,” vlerësoi gjyqtari Kaçkini dhe solli në vëmendje se këto ishin rregulluar nga ligji për arsimin.
Ai e cilësoi Kopshtin Botanik si një auditor dhe solli në vëmendje se ishte ndërtuar në vitin 1965. “Kush e ndërtoi? Kush e ruajti në vitin 1992 dhe 1997, kur u bë gjithë kioska Shqipëria? – Pedagogë e studentë,” arsyetoi Kaçkini.
“Kush e ruan sot? Pedagogë e studentë – Nga kush? – Nga ai që ka pushtet,” vazhdoi gjyqtari.
Në vijim, gjyqtari Kaçkini arsyetoi lidhur me pretendimet e palëve për autonominë, ku pala paditëse pretendon se vendimi i vitit 2019 nuk e garanton.
“Dy pikat e Vendimit të Këshillit të Ministrave janë si mish i huaj. Se këto i di ai që ka çelësat. Me këtë vendim, nga zot shtëpie kthehesh në hyzmeqar,” shtoi gjyqtari Kaçkini dhe shtoi se diskrecioni është në kundërshtim me ligjin.
Sipas Kaçkinit, ligji ia jep këtë pronë të shtetit nën administrim Universitetit të Tiranës, ndërsa vendimi i vitit 2019 ia heq.
“Nuk ka nevojë që Kopshti Botanik të kthehet në lulishte. Ka plot hapësira të tjera. Kopshti Botanik të rrijë i tillë, u takon studentëve,” tha gjyqtari.