Në zemrën e Mesdheut, ku dallgët e migracionit lëvizin pa pushim në kërkim të një porti sigurie, Italia dhe Shqipëria kanë vulosur një marrëveshje që, në letër, synon të qetësojë këtë det të trazuar. Marrëveshja e re për menaxhimin e emigrantëve të paligjshëm mes dy shteteve fqinje ka ngjallur një debat të gjerë, që kapërcen shumëfish dimensionet e saj burokratike.
Kjo marrëveshje shfaqet në horizont si një shirit sigurie, me premtime për një menaxhim më të mirë të fluksit migrator dhe të azilkërkuesve. Megjithatë, mënyra e shpejtë dhe e padiskutuar e nënshkrimit- jashtë kornizave të debatit parlamentar dhe pa një konsultim të gjerë publik – ka hedhur hije mbi legjitimitetin dhe qëllimet e saj.
Nuk mund të injorohet faktet të tilla si vizitat gjatë verës të Kryeministres italiane në Shqipëri, akomodimi i saj në vilat shtetërore, dhe mbështetja e saj e hapur për Kryeministrin Rama në kohën që ai përballej me akuza të forta për korrupsion dhe autoritarizëm duke shkuar deri në burgosjen e kandidatit minoritar të opozitës për bashkinë Himarë – të cilat kanë ngjitur një sfond të dyshimtë mbi këtë marrëveshje. Kur aktet diplomatike përcillen me një retorikë “borxhi dhe mirënjohje”, siç u shpreh zoti Rama, ‘një borxh që i kemi Italisë’, i bëhet thirrje pyetjes së madhe: A është marrëveshja vërtet në shërbim të interesave kombëtare, apo është një pagesë simbolike e një borxhi politik?
Është një kohë reflektimi për Shqipërinë. Vendosja e qendrave për emigrantët duhet të jetë më shumë se një vendim pragmatik; duhet të jetë një akt i menduar mirë që llogarit jo vetëm fluksin migrator, por edhe ndjenjat e njerëzve që jetojnë në tokën ku do të ndërtohen këto struktura, të atyre që do të strehohen brenda tyre, dhe të gjithë atyre që i shërbejnë si dëshmitarë të kësaj sage.
Në botën e sotme, ku demokracia është aq e brishtë saqë çdo akt i pamenduar mund të jetë një goditje për integritetin e saj, Shqipëria, si një vend që ka luftuar me sfida të mëdha, duhet të jetë e vetëdijshme të mos i nënshtrohet interesave okulte të transaksioneve të fshehta politike. Është koha për transparencë, për pjesëmarrje dhe për vendime që pasqyrojnë jo vetëm një nevojë të momentit, por një vizion afatgjatë për të ardhmen e vendit dhe të qytetarëve të tij.
Le të jemi të qartë: marrëveshja me Italinë mund të ketë meritat e saj pragmatike, por nëse procesi i saj i formimit dhe zbatimit do të lërë vend për manipulim politik dhe për shkelje të demokracisë, atëherë meritat e saj do të zbehen në sytë e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë, në fund të fundit, ata që duhet të jenë në qendër të çdo vendimi që prek fatin e tyre kombëtar./aktualitet.al