
Pamja më e dhimbshme e krizës së salmonelës në kopshtin e Gramshit nuk ishte dhoma e infuzionit, as dhimbjet e barkut të fëmijëve që vuanin në heshtje. Ishte fytyra e kryetarit të bashkisë, Besion Ajazi, e ulur përballë kamerave, me një buzëqeshje të ftohtë dhe të sikletshme, të shoqëruar me arrogancë të përzier me ironi të shëmtuar.
Për një prind të shqetësuar, me zërin që i dridhej, i cili kërkoi sqarime publike për gjendjen shëndetësore të fëmijës së tij, Ajazi nuk zgjodhi ndjeshmërinë, por zgjodhi të përçmonte. Në vend që të ulej në nivelin emocional të një nëne që kërkonte drejtësi, ai hidhej në justifikime boshe për “prokurime” dhe “ligje”, ndërkohë që fëmijët helmohen në ambientet publike që ai drejton.
Por edhe më tronditës ishte momenti i përballjes me një baba, i cili kishte marrë guximin të organizonte një protestë paqësore dhe të kërkonte transparencë për çfarë po ndodhte me fëmijët e qytetit të tij. Përgjigjja e Ajazit ishte cinike dhe tallëse:
“Edhe ai në biznesin e vet mund të shesë në gjithë Shqipërinë…”
Kjo nuk është thjesht arrogancë administrative. Është përçmim aktiv, që vjen shumë pranë sadizmit politik – kur një njeri që mban pushtet, kënaqet në ironinë mbi dhimbjen publike, vetëm sepse ndjen veten të paprekshëm.
Dhe kur i njëjti njeri thotë publikisht “jam këtu për të folur për publikun”, por nuk ulet asnjë çast të dëgjojë realisht prindërit, atëherë është e qartë: ai nuk flet për publikun – ai flet për veten e vet.
Kjo është një krizë shumë më e thellë sesa një shpërthim bakterial. Është një krizë morali, një shembje e gjithçkaje që përfaqëson një udhëheqës lokal. Një kryetar bashkie që buzëqesh kur qytetarët kërkojnë ndihmë, që ironizon kur prindërit kërkojnë përgjigje, dhe që nuk mban asnjë përgjegjësi kur fëmijët helmohet, nuk është udhëheqës. Është një rrezik institucional.
Në vend të ndjeshmërisë, Ajazi solli përbuzje. Në vend të përgjegjësisë, solli tallje. Në vend të transparencës, solli arrogancë. Dhe për këtë, qytetarët e Gramshit meritojnë më shumë se një ndjesë të vonuar. Meritojnë drejtësi dhe dorëheqje.