
Detajet e mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike kanë nxjerrë në pah jo vetëm tensionin e brendshëm, por edhe një spektakël të vjetër që shqiptarët e kanë parë e dëgjuar për dekada. Deputetë si Belind Këlliçi, Gjin Gjoni dhe Saimir Korreshi propozuan masa “radikale” si greva e urisë apo ngujimi në Kuvend, sikur kjo të ishte arma e fundit për të shpëtuar demokracinë.
Por pyetja e madhe mbetet: kush do të vetësakrifikohet për demokracinë? Do ta bëjë këtë Gazment Bardhi, që pasi doli kundër Berishës u ul sërish në prehrin e tij? Apo Mul Noka, që e ka kthyer vilën e tij në simbol të luksit të opozitës së “sacrifikuar”? Mos ndoshta do të hyjë në grevë Gjin Gjoni që është miliarderi i vetëm në botë i bërë i tille me pagë gjyqtari, apo “i burgosuri politik” i vetëshpallur Ervin Salianji, i cili u kthye në simbol të viktimizimit mediatik?
Ironia shkon më tej: shqiptarëve u kërkohet sot të besojnë tek “sakrifica” e një opozite që ka 12 vite në humnerë, ndërkohë që ish-figura si Jozefina Topalli shpenzojnë 1 milion euro për dasmën e djalit. Pra, askush nga këta nuk ka ndërmend të sakrifikojë vilën, luksin, privilegjet apo të ardhurat e veta – gjithçka që i dallon nga qytetarët e thjeshtë që mezi mbajnë frymën.
Shqiptarët janë lodhur. Mazhoranca ka rrënjët e ngulitura fort dhe e ka mbyllur ciklin e saj të pushtetit me kontroll të plotë mbi institucionet. Por ajo që duket qartë është se ka ardhur koha që shqiptarët të largojnë këtë opozitë të konsumuar, që nuk ofron më shpresë dhe nuk është gjë tjetër veçse një zgjatim i lojës politike të së shkuarës. Vetëm duke pastruar opozitën, vendi mund të shohë një ditë përballje reale me mazhorancën.