Cilat Janë Pasojat e Mundshme të Sanksioneve Amerikane Ndaj Industrisë Serbe të Naftës?

0

Pas njoftimit se zbatimi i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara (SHBA) ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), kompanisë më të madhe të naftës në këtë shtet, mund të fillojë nga 1 tetori, rruga e naftës së papërpunuar që NIS-i e importon dhe transporton përmes Kroacisë, është vënë në pikëpyetje.

“Në përgjithësi, do të jetë e vështirë që NIS-i të marrë naftë, kufizimi do të përfshijë transportin përmes Kroacisë dhe pagesat”, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë ekonomisti Millan Kovaçeviq, duke folur për pasojat e mundshme të sanksioneve amerikane ndaj NIS-it.

SHBA-ja ka shtyrë gjashtë herë zbatimin e sanksioneve që nga janari, kur kompania NIS u vendos në listën e kompanive të sanksionuara për shkak të pronësisë ruse. Herën e fundit që sanksionet u shtyn ishte më 26 shtator, dhe vetëm për disa ditë, deri më 1 tetor. Zbatimin e sanksioneve amerikane nga 1 tetori e paralajmëroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një deklarimi për gazetarë në Nju Jork, më 25 shtator.

Ai tha se Serbia do ta paguajë “shumë shtrenjtë” çmimin e sanksioneve dhe se ky është “dëm kolateral” për shkak të raporteve mes SHBA-së dhe Rusisë.

“Pa dyshim na pret një kohë e vështirë dhe një dimër i ashpër”, tha Vuçiç.

Fjalët e zyrtarëve dhe ekspertëve nuk e shqetësojnë Raden nga Beogradi, i cili, siç tha për REL-in, furnizohet me karburant “ekskluzivisht në stacionet e NIS-it”.

“Nuk kam frikë nga mungesat. Gjithmonë ka një rrugëdalje, ia dolëm mbanë në vitet ’90, do t’ia dalim edhe kësaj radhe”, tha Rade.

Megjithatë, ajo që e shqetëson atë është rritja e çmimeve të karburantit. Qytetari tjetër nga Beogradi, taksisti Dragomir Antoniq, tha se nuk shqetësohet aspak.

“Po të isha më i ri, do të kisha frikë, por duke qenë se jam i moshuar dhe kam dalë [me taksi] për të plotësuar pensionin tim, kjo nuk më intereson”, tha ai për REL-in.

Kompania NIS njoftoi se “kemi siguruar sasi të mjaftueshme të rezervave të naftës së papërpunuar dhe të produkteve të naftës për furnizimin e tregut në këtë moment”, duke shtuar se pompat e benzinës janë “furnizuar rregullisht”.

“Kompania NIS respekton ligjet e Republikës së Serbisë dhe të shteteve të tjera ku operon dhe me veprimtarinë e saj nuk ka kontribuar në vendosjen e sanksioneve që kërcënojnë punën e kompanisë dhe stabilitetin social të më shumë se 13.000 punonjësve”, u tha në njoftimin e lëshuar më 26 shtator.

Sipas kompanisë, ajo ende pret përgjigjen e autoriteteve amerikane ndaj kërkesës për të hequr NIS-in nga lista e sanksioneve, proces që, sipas saj, është “i gjatë dhe kompleks”. Ministria e Minierave dhe Energjetikës e Serbisë deri në publikimin e këtij teksti nuk ka kthyer përgjigje për REL-in se çfarë pasojash të drejtpërdrejta dhe të tërthorta mund të ketë për vetë NIS-in dhe për qytetarët e Serbisë në rast se SHBA-ja fillon të zbatojë sanksionet nga 1 tetori.

Kompania importon pjesën më të madhe të naftës së papërpunuar, të cilën NIS më pas përdor për përpunim dhe shpërndarje të mëtejshme në stacionet e karburanteve. Kështu thotë edhe raporti gjashtëmujor i vetë kompanisë, sipas të cilit sasia e naftës nga prodhimi vendas përbënte një të tretën e totalit të sasisë së përpunuar dhe të hedhur në treg.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Energjetikë të Serbisë, që nga viti 2023, Serbia nuk importon më naftë të papërpunuar ruse. Megjithatë, sapo të zbatoheshin sanksionet, edhe disponueshmëria e naftës me origjinë tjetër do të vihej në pikëpyetje, sepse kudo që të blihet, ajo duhet t’i dorëzohet një kompanie në pronësi ruse, e cila iu nënshtrohet sanksioneve.

Nafta që dërgohet në rafinerinë e NIS-it në Pançevë kalon përmes naftësjellësit JANAF, në të cilin shumicën e aksioneve i ka shteti kroat. Kjo kompani, sipas deklaratave nga vetë JANAF-it dhe zyrtarëve kroatë, do të prekej gjithashtu nëse fillon zbatimi i sanksioneve të SHBA-së ndaj NIS-it, duke pasur parasysh se NIS-i është partneri i tyre më i madh i biznesit.

Ministri kroat i ekonomisë, Ante Shushnjar, ka thënë më herët gjatë këtij viti se humbja e marrëveshjes së JANAF-it me NIS-in do të nënkuptonte humbje të një pjese të mirë të të hyrave dhe rritje të shpenzimeve, duke pasur parasysh ruajtjen e naftës që nuk do të mund të transportohej.

“Pra, furnizimi me naftë për NIS-in do të vështirësohet, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, pasi ka mjaft vende ku NIS-i ka eksportuar derivate të naftës, edhe kjo do të vështirësohet”, theksoi ekonomisti Millan Kovaçeviq.

E gjithë kjo, sipas tij, do të sjellë vështirësi dhe rritje të kostove të funksionimit të vetë NIS-it.

“Kjo mund të ketë si pasojë së pari shtrenjtimin e furnizimit të tregut të Serbisë me derivate, dhe herë pas here mund të ketë edhe mungesa”, shpjegoi Kovaçeviq.

NIS tashmë po shënon humbje. Në raportin financiar të publikuar në gusht thuhet se kompania, në fund të gjashtëmujorit të parë, ka operuar me humbje prej 3.6 miliardë dinarësh (30 milionë euro), ndër të tjera, për shkak të sanksioneve të SHBA-së, por edhe rënies së çmimit të naftës në tregun botëror.

Një nga çështjet që, ndoshta, do të ndikonte më së shumti te qytetarët e Serbisë, është nëse pagesa me kartela në pikat e karburantit të NIS-it do të mund të realizohen pas fillimit të zbatimit të sanksioneve.

“Nëse kjo është pjesë e sanksioneve apo jo, nuk e dimë”, tha për Radion Evropa e Lirë bankieri dhe këshilltari financiar, Vlladimir Vasiq.

Ai theksoi se zbatimi i sanksioneve ndaj NIS-it mund të ketë pasoja për sistemin e pagesave të kësaj kompanie.

“NIS është një kompani e madhe, strategjike, aty qarkullojnë shumë para. Nga njëra anë, bankat që veprojnë në Serbi dhe që zbatojnë sanksione ndaj NIS-it për shkak të kompanive të tyre mëmë, të cilat janë në Bashkimin Evropian, nuk do të dëshironin t’i ekspozoheshin ndonjë kostoje shtesë ose ndalese të mundshme të biznesit nga ana e bankave të tyre amë”, shpjegon Vasiq.

Sipas tij, zgjidhja do të ishte që pjesa më e madhe e kryerjes së pagesave të transferohej te një bankë në pronësi të shtetit, në këtë rast, siç tha ai, Banka Kursimore Postare e Serbisë.

“Sfida për një bankë vendase është nëse ka mjaftueshëm kapital për të mbështetur funksionimin, pra për t’i dhënë NIS-it garanci prej disa qindra milionë eurosh ose dollarësh”, vlerëson Vasiç.

Ai shtoi se me vendosjen e sanksioneve, kostot e operimit të NIS-it do të rriteshin në çdo rast.

“Dikush duhet t’i paguajë ato shpenzime, dhe dihet kush do të jenë, qytetarët”, përfundoi Vasiq.

NIS u përfshi në listën e sanksioneve të SHBA-së më 10 janar, për shkak të të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, pasi shumica e pronësisë së kompanisë është ruse.

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara synojnë, ndër të tjera, të pengojnë financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë përmes të ardhurave që vijnë nga kompanitë energjetike ruse.

Ndërkohë, struktura e pronësisë së NIS-it është ndryshuar disa herë. Kompania ruse Gazprom është larguar nga pronësia e NIS-it në shtator, dhe një nga pronarët e rëndësishëm u bë një tjetër kompani e menaxhuar nga Gazpromo, kompania Intelidzhens nga Shën Petersburgu.

Shoqëria aksionare Intelidzhens u bë pronare e 11.3% të aksioneve të kompanisë, sipas të dhënave të publikuara në faqen e Bursës së Beogradit më 21 shtator.

Pjesa më e madhe e pronësisë së NIS-it vazhdon të mbahet nga Gazprom Neft, filial i Gazpromit (44.9%), ndërsa shteti i Serbisë ka 29.9%. Pjesa tjetër i takon aksionarëve të vegjël.

Në janar, Vuçiç e hodhi poshtë mundësinë e nacionalizimit të NIS-it, duke shtuar se Serbia “nuk do të marrë pjesë në konfiskimin e pronës ruse”. NIS është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës dhe prodhimin e gazit natyror. Deri në vitin 2008 ishte kryesisht në pronësi të shtetit, kur Serbia shiti 51% të aksioneve të NIS-it te Gazprom Neft për 400 milionë euro.

Tre vjet pas fillimit të pushtimit, Serbia vazhdon të jetë e varur nga energjia ruse dhe pavarësisht përpjekjeve për të diversifikuar burimet e furnizimeve, sidomos në tregun e gazit përmes një marrëveshjeje me Azerbajxhanin, largimi nga kjo varësi ende mbetet larg, sipas ekspertëve.

Varësia nga energjia ruse ishte një nga argumentet kryesore të Qeverisë në Beograd për të mos iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Beogradi ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës pavarësisht thirrjeve dhe paralajmërimeve nga Uashingtoni dhe Brukseli.

Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL)

Artikulli i mëparshëmE fundit/ Veliaj del kundër Ramës: Ankimoi në Kushtetuese vendimin për shkarkimin
Artikulli i radhësZgjidhet drejtori i ri i AMP-së: Kush është Eduart Merkaj