
Në një nga episodet më absurde të parlamentarizmit shqiptar, Partia Demokratike dështoi të votojë për shkarkimin e Niko Peleshit nga posti i kryetarit të Kuvendit — një proces që vetë ajo e kishte propozuar. Me 79 vota kundër dhe vetëm 10 pro, kërkesa u rrëzua, ndërsa deputetët e PD-së nuk morën pjesë në votim, duke lënë pas një skenë që përbën një tjetër tregues të kaosit dhe mungesës së koordinimit në opozitë.
Deputeti Belind Këlliçi u përpoq ta shpjegojë situatën me një argument që vështirë të mos tingëllojë ironik:
“Deputetët e opozitës donin të votonin, por nuk kuptuan se çfarë po votohej në atë moment.”
Në fjalinë e tij, Këlliçi përmbledh gjendjen e PD-së së sotme — një opozitë që nuk e kupton as vetë çfarë po bën. Nga njëra anë kërkon shkarkime e ndëshkime, nga ana tjetër ngatërron procedurat, komunikimin dhe qëllimin, duke u kthyer në një opozitë që vë në lojë vetveten para publikut.
Në vend që të tregonte seriozitet institucional përballë mazhorancës, PD u shfaq si një trup i çoroditur parlamentar, ku deputetët “nuk kuptojnë” rendin e ditës, nuk marrin përgjigje, dhe në fund mbeten spektatorë të votimeve që vetë i kanë kërkuar.
Ky episod, përtej aspektit komik, është simptomë e një problemi më të thellë: mungesa e strategjisë, e komunikimit dhe e autoritetit politik. Në një kohë kur qytetarët presin opozitë të fortë e koherente, PD shfaqet si një grup që rrëzon vetë veten përpara se të rrëzojë këdo tjetër.
