
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar me urgjencë drejt Brukselit, ku është pritur nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa. Për takimin, zyra e shtypit e kryeministrit ka zgjedhur formulën më klasike të transparencës shqiptare: disa foto, zero sqarime.
Asnjë njoftim për temat e diskutuara, asnjë detaj për arsyen e urgjencës, asnjë fjalë për kontekstin politik që e parapriu këtë vizitë. Vetëm pamje zyrtare, buzëqeshje diplomatike dhe heshtje totale.
Vizita në Bruksel vjen pikërisht në një moment delikat në Tiranë, ku zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është pezulluar nga detyra dhe ku presioni ndërkombëtar ndaj institucioneve shqiptare është rritur ndjeshëm. Komisioni Europian dhe zyra e BE në Tiranë kanë reaguar publikisht, duke kërkuar që Kuvendi të shqyrtojë pa vonesa kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të saj.
Në këtë sfond, udhëtimi “i papritur” i Ramës në Bruksel duket më pak si vizitë rutinë dhe më shumë si një shpjegim i vonuar. Por çfarë u tha në takim, çfarë u kërkua dhe çfarë u premtua, mbetet për momentin sekret shtetëror.
Qeveria shqiptare duket se po ndjek një strategji të njohur: brenda vendit përplasje institucionale dhe deklarata force, jashtë vendit diplomaci e heshtur dhe komunikim minimalist. Një model ku publiku informohet vetëm aq sa për të ditur se “takimi u zhvillua”.
Në mungesë të çdo informacioni zyrtar, pyetjet mbeten më të shumta se përgjigjet. A ishte Brukseli i shqetësuar për zhvillimet në Tiranë? A ishte Rama atje për të dhënë garanci, për të kërkuar kohë, apo thjesht për të zbutur tensionet?
Derisa të ketë një sqarim real, takimi në Bruksel mbetet një tjetër episod ku urgjenca shpjegohet me fotografi dhe politika bëhet me heshtje. Dhe në një moment kur vendi ndodhet nën lupën e BE-së, mungesa e transparencës flet po aq sa çdo deklaratë zyrtare.
