
Megaoperacioni i SPAK kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave ka nxjerrë në dritë emra të njohur të biznesit shqiptar, duke treguar edhe një herë se kufiri mes ekonomisë formale dhe parasë së krimit mbetet një nga sfidat më të mëdha për drejtësinë shqiptare.
Mes personave ndaj të cilëve janë lëshuar masa sigurie ndodhet edhe biznesmeni Edmond Jaupi, për të cilin është caktuar masa “arrest në shtëpi”. Jaupi njihet si CEO i kompanisë Daikin/ESC dhe emri i tij ka tërhequr vëmendje jo vetëm për profilin e biznesit që drejton, por edhe për lidhjet familjare me administratën publike.
Ai rezulton të jetë vëllai i Elidiana Çelajt, aktualisht drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, e cila më herët ka mbajtur edhe detyrën e drejtoreshës së bizneseve VIP në Drejtorinë e Tatimeve.
Në të njëjtën dosje të SPAK përmendet edhe biznesmeni Ilir Shtufi, i cili është shpallur në kërkim si pjesë e grupit të dyshuar kriminal të përfshirë në trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave.
Emri i Shtufit ka qenë i njohur edhe më parë në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës, ndërsa raportime të ndryshme mediatike kanë ngritur pikëpyetje mbi përfitimin e tenderave publikë në fushën e rrugëve.
Sipas të dhënave paraprake, operacioni i SPAK ka rezultuar me 20 masa sigurie, ku 15 persona janë lënë në “arrest me burg” dhe 5 të tjerë në “arrest shtëpie”. Hetimet dyshohet se kanë dokumentuar aktivitet kriminal të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe investimin e të ardhurave të paligjshme në aktivitete ekonomike të ligjshme.
Paralelisht me arrestimet, autoritetet kanë sekuestruar edhe automjete luksoze dhe pasuri të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal të grupit.
Dosja pritet të marrë rëndësi të veçantë në ditët në vijim, pasi përveç akuzave për trafik droge dhe pastrim parash, ajo prek edhe figura të njohura të biznesit dhe ngre pikëpyetje mbi mekanizmat që kanë lejuar qarkullimin e kapitaleve të dyshuara kriminale në ekonomi.
SPAK nuk ka bërë ende publike të gjitha detajet e hetimit, por operacioni konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme të muajve të fundit ndaj rrjeteve që dyshohet se kanë përdorur bizneset si instrument për legalizimin e fitimeve nga aktivitetet kriminale.
