Kur serbi futi shishen në prapanicë, për të fajësuar shqiptarët në Gjilan

0
Image

Bajram Kadriu,  gjyqtar i Qarkut në Gjilan, më 1 maj 1985 u thirr nga Policia në Livoq të Gjilanit, pasi iu tha se  “kur Gjorgje Martinoviçi ishte duke mbjellë fasule, shqiptarët i kishin futur një shishe në prapanicë!”.  Për rrjedhojë, Martinoviçi kishte përfunduar në spitalin e Gjilanit.

Gjyqtari Kadriu tregoi:

“Në vendin e ngjarjes, në distancë më tepër se 10 metra, vërejtëm një dru të hollë të ngulur në tokë dhe disa copa të thyera të shishes. Konstatuam që në atë pjesë të arës, afër atij druri dhe copave të mbetura të shishes, nuk kishte ndonjë gjurmë këmbësh të tjera përveç gjurmëve të personit që e kishte kryer atë akt vandal”.

Image Për ta konstatuar gjendjen faktike, në cilësi të gjyqtarit ai kërkoi që të bëhej regjistrimi i vendit të ngjarjes edhe me fotografim, gjë e cila u krye nga Policia e Prishtinës, raporton RajoniPress. Gjyqtari e përpiloi procesverbalin me shkrim në mënyrë profesionale, sepse ishte i bindur se rasti do të përdorej për propagandë antishqiptare.

“Me gjithë trysnitë politike, e hartova procesverbalin në vendin e ngjarjes pa lënë asnjë dyshim për prezencën e personave të tjerë në vendin e ngjarjes dhe duke vërtetuar pa mëdyshje se Gjorgje Martinoviç e kishte futur vetë në anus, shishen që kishte thyer”.

Në Spitalin e Gjilanit, Martinoviç u shtrua nga mjeku kujdestar, kirurgu Remzi Aliu si dhe gjinekologu Lubisha Petronijeviç.

 Ata të dy ishin grindur për ndërhyrjen kirurgjike: Dr. Aliu udhëzoi që pacienti të dërgohej për operim në Spitalin e Prishtinës, ndërsa Petronijeviçi kishte insistuar që pacienti me helikopter, të dërgohej në spitalin e Shkupit. Martinoviçin e dërguan në Prishtinë.

Kadriu (në foton lart) vazhdoi: “Në cilësinë e gjyqtarit kam kontaktuar edhe mjekun në spitalin e Prishtinës dhe e kam pyetur për vlerësimin e tij profesional.  

Mjeku, që ishte serb, tha: “Këtë akt mund ta bëjnë vetëm njerëzit e sëmurë!”

Meqë për këtë rast serbët nisën të propagandojnë se gjoja ishte akt antishqiptar, Kadriu  kontaktoi gazetarët e Radio Televizionit të Prishtinës, të cilët i informoi për të vërtetën.

“Më pas, unë si gjyqtar dhe Halit Rexhepi si shef i Policisë, u thirrëm në Komitetin komunal në Gjilan, ku vazhdimisht insistonin që të ndryshohej gjendja faktike. Pasi nuk patën sukses politikanët,  dërguan aktivistët në terren që të informonin popullatën. Por, më pas vazhduan presionet e hetuesve specialë nga Nishi e Beogradi”.

Kadriu u thirr nga organet policore të Gjilanit që të takohej me një ekip nga Nishi për të dalë prapë në vendin e ngjarjes. Por, ai e kishte refuzuar këtë kërkesë, sepse ishte manipuluar vendi i ngjarjes.

“E njëjta kërkesë i është bërë edhe zëvendësprokurorit Gradimir Propoviç, por as ai nuk kishte shkuar”.

Kadriu kishte dëshmi të shumta, madje edhe dëshminë e Martinoviçit në dhomën e Spitalit, ku ai pranonte se ia kishte futur vetes shishen, mirëpo kërkonte që këtë mos ta kuptonte bashkëshortja e tij.

“Edhe pas kësaj kanë vazhduar presionet nga Beogradi. Në Gjilan kishte ardhur kryeprokurori federativ që kishte bërë presion që të ndryshohej qëndrimi me qëllim që ‘të qetësohet Çarshia e Beogradit’, por as ai nuk arriti të na bindte për të bërë procesverbal tjetër. Meqë nuk arritën të falsifikojnë asgjë, Armata falsifikoi ekspertizën mjekoligjore”.

Kadriu ndërkohë dha urdhër që të bastiset edhe shtëpia e Martinoviçit, ku gjejnë dëshmi tjera, si p.sh. faktin se pantallonat nga vendi i ngjarjes nuk  qenë të zhytura dhe se pullat dhe patenta kishin qenë ta padëmtuara, gjë që eliminonte çdo mundësi të veprimit të dhunshëm nga persona të tjerë.

Mirëpo,  në fund fitoi propaganda antishqiptare serbe.

Më 1990, Gjykata e Dytë Komunale në Beograd, shpall që ndaj atij ishte ushtruar dhunë! Ky process në fakt ishte edhe fillimi i shkatërrimit definitiv të Jugosllavisë.

Në foto: Djathtas avokati Velimir Cvetiç dhe “viktima” Gjorgje Martinoviç

Image
Artikulli i mëparshëmU rrit i adoptuar, eksperimentonte me drogat/ Çfarë nuk dini mbi Stiv Xhobsin
Artikulli i radhësAndi Bushati, Juri Kim: Deklarata juaj qesharake…