Zyrtarizohet marrëveshja për blerjen e 30 respiratorëve

0

Një marrëveshje e përbashkët partneriteti u nënshkrua sot virtualisht midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ambasadës së Zvicrës, Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë për Shqipërinë, dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNDP), e cila thekson mbështetjen ndaj autoriteteve të shëndetësisë në Shqipëri për të luftuar COVID-19 përmes blerjes së 30 respiratorëve.

Ky kontribut plotëson angazhimin e qeverisë shqiptare për rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e një numri të mjaftueshëm të makinerive jetë-shpëtuese për trajtimin e pacientëve të COVID-19 në terapi intensive.

Qeveria zvicerane po dhuron 330,000 USD, qeveria norvegjeze 3,000,000 Krona Norvegjeze dhe UNDP 100,000 USD. Të 30 respiratorët pritet të arrijnë në Shqipëri brenda muajit dhe do t’i dorëzohen Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar me rritjen e kapaciteteve në luftën kundër COVID-19. Në këtë situatë, ku ka më shumë të panjohura sesa të njohura, e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë armik të padukshëm është të bashkojmë forcat, duke qenë solidarë. Ndaj, mbështetja juaj për blerjen e 30 respiratorëve është shumë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor publik në Shqipëri”, theksoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

“Qeveria e Shqipërisë përcaktoi që një nga nevojat kryesore në menaxhimin e krizës së koronavirusit ishte sigurimi i makinave respiratore. Këto makina bëjnë diferencën midis jetës dhe vdekjes për shumë njerëz. Për ne është kënaqësi që mundëm t’i përgjigjemi shpejt kërkesës tuaj dhe të kontribuojmë së bashku për blerjen e 30 respiratorëve shtesë për spitalet e Shqipërisë”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.

Ambasadori i Norvegjisë për Shqipërinë, Jens Erik Grondahl theksoi: “Në një kohë shumë të vështirë, e cila po i rëndon shumë shërbimet e shëndetit publik, është e nevojshme të tregojmë solidaritet dhe të bëjmë cfarë kemi mundësi për të ndihmuar njëri tjetrin dhe për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta në mundjen e pandemisë. Për këtë arsye, Norvegjia është krenare që mbështet përpjekjet kombëtare të Shqipërisë kundër pandemisë COVID-19 duke siguruar fonde për blerjen e menjëhershme të respiratorëve në një partneritet të paprecedent me Qeverinë Shqiptare, Zvicrën dhe UNDP.”

“Në këtë kohë të paprecedentë, UNDP qëndron në krah të Shqipërisë. Kjo nismë demonstron fuqinë e partneriteteve për të ndihmuar shtetet të adresojnë shqetësime kritike shëndetësore në mes të pandemisë globale. Jemi të lumtur të bashkojmë forcat me Qeverinë Zviceriane dhe atë Norvegjeze për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve shëndetësore me pajisje kritike të emergjencave mjekësore të cilat mund të shpëtojnë jetë njerëzish”, tha Përfaqësuesja e Përhershme në Shqipëri e UNDP, Limya Eltayeb.

Rasti i parë i konfirmuar i COVID-19 u regjistrua në Shqipëri më 9 mars dhe deri tani janë 416 raste të konfirmuara. Menjëherë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përcaktoi blerjen e respiratoreve si një nga prioritetet më të rëndësishme për qeverinë e Shqipërisë. Qeveria shqiptare ka financuar blerjen e 54 respiratorëve, ndërsa ky financim i tre donatorëve ndërkombëtarë do të sigurojë edhe 30 respiratorë shtesë për të ndihmuar Shqipërinë për përballimin e situatës së COVID19.

Artikulli i mëparshëmARRESTIMI/ Si u prangos ‘killeri’ i Lushnjes. (Ngjarjet që përgjakën qytetin 3 vitet e fundit)
Artikulli i radhësVatra e koronavirusit ne Elbasan/ Restoranti pranë gjykatës nuk u mbyll se kishte “mbrojte”