“Heqja e masave rrezik i jashtëzakonshëm!” Paralajmëron eksperti më i i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA

0

Eksperti më i lartë për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara, Dr. Anthony Fauci, paralajmëroi të dielën se ekziston “një rrezik i jashtëzakonshëm” për përhapje të mëtejshme të koronavirusit nëse Shtetet e Bashkuara rihapen më shpejt se ç’duhet, më 1 maj, një mundësi që Presidenti Donald Trump po e konsideron.

Dr. Fauci i tha televizionit CNN, se rigjenerimi i tregëtisë nuk do të bëhet “sa hap e mbyll sytë”, ndërsa vjen koha e përfundimit të afatit të rekomandimeve të qeverisë për distancim social, më 30 prill.

Ai tha se shpreson që “të paktën në një farë mase”, vendi t’i rikthehet punës dhe aktiviteteve të rutinës së përditshme muajin e ardhshëm, por shtoi se gjasat janë që të mos jetë njëlloj në zona të ndryshme të vendit.

“Do të varet nga numri i rasteve të koronavirusit në komunitete të veçanta dhe nëse testet do të tregojnë se shumica dërrmuese e popullsisë nuk është e infektuar.”

Megjithë marrjen e masave, tha ai “ne e dimë, që njerëzit do të infektohen. Ky është realiteti”.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi u rrit në 21,418, më i larti i çdo vendi të botës, me mbi 530 mijë të infektuar.

Sipas modeleve aktualë të parashikimeve, 60 mijë ose më shumë mund të vdesin në vend deri në korrik.

Zyrtarët amerikanë thanë se SHBA janë afër pikut të pandemisë së koronavirusit të ri, por ekspertë të tjerë shprehen se pa një vaksinë ose një kurë të efektshme, rihapja plotësisht e ekonomisë mund të zgjasë më shumë nga sa do të dëshironte administrata e Presidentit Donald Trump.

Modelet tregojnë se jemi shumë afër pikut. Prandaj mendoj se informacioni është i saktë,” tha Komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave Stephen Hahn për programin “This Week” të televizionit ABC.

Zoti Hahn tha se është tepër herët për të caktuar një datë, por shtoi se “Ne shohim dritë në fund të tunelit”.

Eksperti amerikan Zeke Emanuel, këshilltar special i drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetit, tha për ABC News se nuk parashikon që jeta t’i kthehet plotësisht normalitetit edhe për 18 muaj të tjerë. “Kushdo që ju thotë se do të kemi një vaksinë për tre ose katër muaj, ky nuk është realiteti se si funksionon biologjia dhe kërkimi shkencor,” tha ai.

Presidenti Donald Trump ka këmbëngulur që vendi të hapet sa më shpejt dhe këshilltarët ekonomikë kanë përmendur 1 majin si date të mundshme. Por ai a thënë se do të dëgjojë edhe mendimet e ekspertëve të shëndetësisë për të përcaktuar nëse ajo date do të ishte shumë herët.

Ai e ka quajtur zgjedhjet mes dy alternativave: mbrojtjes së shëndetit të amerikanëve dhe rihapjes së ekonomisë më të madhe të botës, si vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij.

Megjithëse disa modele parashikojnë që e diela të shënojë pikun e sëmundjes, kurba e zbritjes nënkupton shumë javë të tjera gjatë të cilave njerëzit në të gjithë vendin duhet të tregojnë kujdes, thanë zyrtarët.

Presidenti Trump e shënoi ditën me një videomesazh në Twitter për amerikanët e krishterë, duke i uruar për Pashkët. Por ai vuri në dukje se sa e ndryshme ishte kjo ditë këtë vit, ndërsa shumica e guvernatorëve ka nxjerrë urdhra për të ndenjur në shtëpi dhe vetë Presidenti Trump ka rekomanduar distancimin social.

Por ne po fitojmë betejën, po fitojmë luftën. Do të kthehemi përsëri në kisha, pranë njëri-tjetrit. Do të festojmë dhe do t’i bashkojmë familjet përsëri. Kemi plot arsye për të qenë mirënjohës. Gëzuar Pashkët të gjithëve”, tha ai.

Shumica e kishave në Shtetet e Bashkuara i mbajtën dyert mbyllur për Pashkë, por disa i sfiduan urdhrat e shteteve për ndalimin e grumbullimeve masive dhe mbajtën shërbesa.

Në janar, shkurt dhe mars, Presidenti Trump e minimizoi rrezikun e koronavirusit, para se ta deklaronte më pas një emergjencë kombëtare.

Dr. Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Sëmundje Infektive dhe Alergji, tha se ishte “e qartë” që përgjigjia e vendit mund të kishte qenë më e mirë.

Do të kishte qenë më mire të kishim filluar më herët (me masat). Disa herë njerëzit i dëgjojnë rekomandimet e ekspertëve dhe disa herë jo”, tha ai.

Dr. Fauci tha se numri i viktimave mund të kishte qenë pak më i ulët nëse Shtetet e Bashkuara do të kishin lëvizur më me shpejtësi për distamcimin social dhe urdhrave për të ndenjur në shtëpi.

Ai tha se shpreson që votuesit amerikanë të shkojnë personalisht në qendrat e votimit, për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, në garën mes presidentit Trump dhe rivalit të tij demokrat, Joe Biden, por…

Nuk mund ta garantoj. Ekziston gjithmonë mundësia që të kemi një rigjallërim të koronavirusit” tha ai duke shtuar:

Shpresoj që do të japim një përgjigjie më të mirë”./VOA

Artikulli i mëparshëmElettra Lamborghini në karantinë, ndryshon vëndet e piercing-ve dhe bën një apel për të gjithë
Artikulli i radhësXhenxhefil, Karrota, Portokalle – Lëngu Magjik Për Organizëm Të Fortë