Ministrja e arsimit, Besa Shahini nuk ju përgjigj interesimit të Top Channel për përdorimin e 6 mijë tabletave në këtë situatë emergjente pandemie kur jo të gjithë nxënësit mund të ndjekin mësimin online prej mungesës së telefonave, tableta që i kushtuan buxhetit të shtetit 3.5 milionë euro. Së fundmi reagimi i ministrisë vjen pas pyetjeve të nxënësve mbi këtë temë.
“Një nxënës ka pyetur besoj i nxitur edhe nga një raportim për infrastrukturën dixhitale në shkolla se pse nuk po i përdorim tabletat që i kemi në disa shkolla për t’iu ardhur në ndihmë nxënësve që nuk kanë qasje në telefon smart, tableta apo laptop, që edhe ata të mund të vazhdojnë mësimin në kushte shtëpie. Është e vështirë të nxirren ato tableta nga shkolla sepse e para ato janë pronë e shkollës, këtë do e kishim tejkaluar disi. Faktikisht është gati e pamundur sepse ato kanë një sistem që karikohen brenda klasës, pra nuk kanë karikues mobile që ta çojnë në shtëpi “, ka deklaruar ministrja Shahini.
Por kujtojmë se Top Channel solli dëshmi të studentëve që kanë qenë nxënës në shkollat e përzgjedhura për të qenë ‘shkolla dixhitale’ dhe ata treguan se i kishin përdorur për pak kohë tabletat apo të tjerë që si kishin parë ndonjëherë.
“Kam qene nxenes i “Petro Nini Luaras-it” nga viti 2016 deri ne 2019 kur mbarova maturën”.
-A ke qene pjese e klasave digjitale?
“Po, ne vitin e parë bëmë disa orë në një klasë digjitale, në vitin e dytë dhe të tretë jo. Në fillim më shumë ishin si tutoriale, të mësonim si funksiononin pajisjet ose tabela interaktive edhe kërkuam accountin tone personal , më pas bëmë disa orë informatike dhe kaq”, u shpreh Reino Guri.
“Kam qenë gjimnaziste nga 2013-2016 pranë gjimnazit Gramoz Palishi. Asokohe na u njoftua nga drejtori i shkollës që do kthehej një klasë teknologjike me tableta por deri në përfundim të vitit shkollor nuk i pamë asnjëherë këto tableta, dinim vetëm që ishte një klasë posaçërisht për të në të cilën nuk lejohej të hyje”, tregoi Juliana.
Nga ana tjetër, ministrja Shahini deklaroi se po shikon një mënyrë tjetër për të garantuar që të gjithë nxënësit të ndjekin mësimin virtualisht.
“Në diskutim me kompani të ndryshme elektronike që janë ofruar edhe vullnetarisht po mundohemi të gjejmë mënyrën më të mirë për të siguruar qasjen e mësimit dixhital për të gjithë nxënësit”, përfundoi videokonferencën ministrja e arsimit./topchannel
Minuta 04:16 reagimi i ministres: