COVID-19/ Pse u zgjat shtetrrethimi këtë fundjavë? ISHP: Epidemia nën kontroll

0
Drones have been deployed in efforts to sanitise and disinfect areas in Al-Falah mosque which is among the areas identified as Covid-19 redzones. NORAFIFI EHSAN /The Star

Epidemia është bërë e kontrollueshme. Po me cilin çmim? Komiteti Shqiptar i Helsinkit i kritikon masat e qeverisë shqiptare si masa represive dhe cënim të dinjitetit njerëzor.

Shqipëria ka hyrë për të pestën javë rresht në shtetrrethimin e fundjavës. Ndryshe nga shtet rrethimet e mëparshme këtë fundjavë ai është zgjatur, nga 40 në 60 orë. Shtetrrrethimi ka nisur në pasditen e të premtes (17.04.2020) dhe përfundon të hënën, në orën 05:30 të mëngjesit, me përjashtim të rasteve të emergjencës shëndetësore.

Autoritetet thanë për DW se zgjatja 20 orëshe synon shmangien e grumbullimeve të besimtarëve ortodoksë, që festojnë Pashkët, nesër (19.04). Një vendim i qeverisë ka lejuar të dalin në paraditen e sotme (18.04),vetëm 3 orë, pensionistët, që masat kufizuese nuk i kanë lejuar të dalin fare nga banesat e tyre, që kur u shpall pandemia, më shumë se 1 muaj më parë. “Pensionistët lejohet të dalin 3 orë vetëm për ajrosje dhe ecje më këmbë, duke ruajtur distancën e sigurisë nga njëri-tjetri. As për vizita, as për domino apo ulje shumë të rrezikshme në grup,” paralajmëroi kryeministri Rama.

Autoritetet thanë të shtunën se “epidemia është nën kontroll.” Por rreziku i infeksioneve të reja është i pranishëm. Grafiku i rasteve të reja të infektuara me virusin korona, herë ulet dhe herë ngrihet. Rastet e shëruara janë vetëm në rritje. Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve të shëndetësisë në 24 orët e fundit ka 9 raste të reja, në total të infektuarit janë 548, prej të cilëve 220 janë aktivë, të shëruar 302, të testuar 5311 dhe 26 viktima. Harta e pandemisë është dhjetëfishuar: nga dy në fillim të saj në 20 qytete ku Tirana mbetet epiqendra me 246 raste dhe 15 viktima. Raporti mes numrit të të infektuarve aktivë me atë të të shëruarve, në favor të këtyre të fundit, është një tregues shpresëdhënës se epidemia është bërë e kontrollueshme.

Strategji për daljen nga bllokimi

Dyzet ditë pas prekjes nga pandemia e COVID-19, Shqipëria ka gati strategjinë për të dalë nga izolimi dhe rifilluar aktivitetin ekonomik. Kryeministri Rama bëri publike taktikat kryesore: hapjen graduale dhe distancimin social. Ai theksoi se “hapja graduale ka riskun e saj dhe mund të ketë sërish rritje të rasteve të të infektuarve pasi virusin e asgjëson vaksina”.

“Kërkohet distancim social i secilit, respektim i rregullave kryesore jo duke menduar policinë, Kodin Penal, por duke menduar prindërit, fëmijët, të afërmit tanë. Nuk është kohë për t’ia hedhur shtetit, por për të futur mirë në kokë që çdo shkelje mund të sjellë pa dashje një vdekje, larg qoftë brenda familjes” tha kryeministri Rama.

Që nga e hëna, Shqipëria ka zbatuar gjatë ditëve të javës hapje nga 05:30 në mëngjes deri në orën 17.30 pasdite. Brenda këtyre 12 orëve lejohet për 90 minutsa vetëm një person për familje të bëjë pazar apo të blejë ilaꞔe. Fillimi i javës që vjen do të sjellë një rifillim gradual të aktivitetit ekonomik dhe lehtësim të masave shtrënguese. Të parat do të jenë bizneset me risk të ulët për t’u infektuar dhe përhapur infektimin; në 2- 3 javët në vijim bizneset me risk të mesëm, kurse për bizneset me risk të lartë si baret, restorantet, qendrat sportive-kulturore afati i hapjes së tyre është i pacaktuar.

Rifillimi gradual i aktivitetit ekonomik do të bëhet nën një monitorim të rreptë nga Policia e Shtetit, ashpërsimin e gjobave dhe dënimeve për shkelësit, të parashikuara në amendimet e Kodit Penal, të sapomiratuara nga Parlamenti. Kryeministri Rama i përligj ato me synimin për të patur sukses në hapjen graduale, rifillimin e aktivitetit ekonomik në sajë të mos përhapjes së infeksionit.

Burg për shkelësit, dronë për identifikimin e tyre

Kodi Penal i amenduar pritet të hyjë në fuqi në ditët në vijim. Tanimë cilido që shkel rregullat e izolimit dhe të karantinës, apo infekton të tjerët ndëshkohet penalisht me burg që shkon deri në 8 vjet. Duke argumentuar në Parlament, ndëshkimet e rënda në Kodin Penal kryeministri Rama theksoi se “pothuajse 2,800 njerëz do të kishin vdekur nëse nuk do të ishin bërë të detyrueshme rregullat e karantinës”. Kodi penal parashikon që ꞔdo person i infektuar me virusin korona, që shkel rregullat e karantinës dhe infekton të tjerët, me dashje apo pa dashje, dënohet nga 2 deri në 8 vjet burg, kur shkelja e rregullave shkakton dëme të rënda, përfshirë edhe vdekjen.

Monitorimi i zbatimit të rregullave dhe kohës 90 minutëshe për të dalë nga karantina po kryhet që prej 6 ditësh nga Policia e Shtetit duke përdorur edhe dronë. Zukatja e tyre në gjithë territorin e Shqipërisë është një sinjal më shumë për të respektuar orarin e liridaljes. Sipas të dhënave të policisë monitorim me dron rriti në 7 mijë numrin e qytetarëve të gjobitur dhe 1300 shoferëve që iu mor patenta, në të gjithë vendin.

Dënimet e ashpërsuara në Kodin e amenduar dhe përdorimi i dronëve është kundërshtuar nga shoqëria civile dhe organizatat e saj të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Erinda Skëndaj, juriste, Drejtore e Komitetuit Shqiptar të Helsinkit e krikon ashpër ligjin e ri. “Amendamentet e miratuara në Kodin Penal nuk janë proporcionale, kanë karakter represiv dhe cenojnë parimin e humanizmit në kushtet e kësaj krize humane të paprecedentë. Kushtetuta e Shqipërisë dhe standartet ndërkombëtare lejojnë kufizimet e të drejtave të njeriut në kushtet kur jeta dhe shëndeti i njerëzve vihet në rrezik. Por çdo kufizim duhet të jetë proporcional, në përputhje me gjendjen që e ka diktuar dhe të mos cenojë thelbin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Përderisa në Shqipëri, ka statistika relativisht të ulëta të përhapjes së virusit korona, ndryshimet në Kodin Penal nuk ishin të nevojshme, të përshtatshme dhe as të justifikuara”, thotë Erinda Skëndaj për DW.

Cënim i të drejtave të njeriut sheh edhe tek përdorimi i dronëve

“Prej tij mund të preket dinjiteti njerëzor i shtetasve, pra jo vetëm i shkelësve apo shkelësve potencialë. Përdorimi i dronit, për të identifikuar shkelësit në kushtet e pandemisë, ku frika është ajo që mbizotëron, mund të nxisë tek qytetarët, emocione negative dhe strese të provokuara në rrethana dhe kushte të ndryshme. Për më tepër çdo pajisje është e gabueshme dhe nuk garanton vërtetësi dhe saktësi”, thekson ajo./DW

Artikulli i mëparshëmPas të moshuarve, liri-dalje për nënat me fëmijë
Artikulli i radhësPaswordet e mijërave llogarive në Zoom janë në shitje në “dark web”