Koronavirusi, që është kthyer në epiqendër të zhvillimeve globale, ka vënë alarmin në disa aspekte. Përveç emergjencës shëndetësore dhe efekteve jashtëzakonisht negative në ekonomi, edhe rreziku i pastrimit të parave është cilësuar si fenomen ndaj të cilit duhet të shtohet vigjilenca.
Task Forca për Veprim Financiar, në një deklaratë të gjatë, u kërkoi të gjitha vendeve anëtare që të punojnë me institucionet financiare dhe bizneset për të përballuar situatën ndaj COVID-19, por edhe për të treguar kujdes maksimal ndaj rreziqeve të reja të financimit të jashtëligjshëm.
Me vende anëtare, FAFT nënkupton të gjitha vendet që janë pjesë e programeve të saj, apo Moneyval, në angazhimin për të luftuar dhe për të parandaluar fenomenin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit dhe në këtë listë, bën pjesë edhe Shqipëria. Kujtojmë që pak javë më parë, Shqipëria u rikthye në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave, për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar.
Por çfarë është lista gri dhe çfarë do të thotë monitorim i zgjeruar? Kjo do të thotë që vendet të cilat përfshihen në këtë listë do të punojnë ngushtësisht me FAFT, për të adresuar dobësitë e gjetura në regjimet e tyre sa i takon parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. “Kur FAFT vendos një vend nën monitorim të zgjeruar, do të thotë që ky vend ka marrë angazhimin që të zgjidhë me shpejtësi dobësitë strategjike të konstatuara brenda një afati të rënë dakord më parë.
Ajo që ndodh është që pranë FAFT, vendet e “listës gri” raportojnë në mënyrë periodike mbi masat e marra, ndërkohë që merret në vlerësim zbatimi korrekt i kalendarit të rënë dakord për përmbushjen e angazhimeve. Si një vend anëtar i Moneyval, që është një trupë më e zgjeruar monitorimi nën Këshillin e Europës, që fillimisht shërbente si monitoruese e punës së Task Forcës për Veprim Financiar dhe nga viti 2006, u bë një anëtare e asociuar e FAFT, edhe Shqipëria duhet të tregojë vigjilencë ndaj aspekteve që thekson FAFT në këtë kohë të koronavirusit. Më poshtë, është një deklaratë e plotë e Presidentit të Task Forcës Financiare (FATF).
COVID-19 dhe masat për të luftuar financimin e paligjshëm
Anëtarët e FATF, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, po aplikojnë çdo burim në dispozicion për të luftuar pandeminë COVID-19. Si përcaktues i standardit global për luftimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit dhe përhapjes së tij,
FATF inkurajon qeveritë që të punojnë me institucionet financiare dhe bizneset e tjera, për të përdorur fleksibilitetin e ndërtuar për të përballuar sfidat e paraqitura nga COVID-19, njëkohësisht duke pasur vëmendje dhe kujdes maksimal ndaj rreziqeve të reja të financimit të jashtëligjshëm.
FATF inkurajon përdorim sa më të plotë të ndërgjegjësimit dixhital të klientëve dhe ofrimin e shërbimeve financiare dixhitale duke respektuar çdo masë distancuese sociale. Në një kohë kur lehtësimi i kritikave si brenda vendeve ashtu edhe jashtë tyre është shumë i nevojshëm, zbatimi efektiv i Standardeve FATF nxit transparencë më të madhe në transaksionet financiare, gjë kjo që u jep donatorëve besim më të madh, se mbështetja e tyre po merret nga ata që kanë më shumë nevojë. Zbatimi i vazhdueshëm i Standardeve FATF lehtëson integritetin dhe sigurinë e sistemit global të pagesave gjatë dhe pas pandemisë përmes kanaleve legjitime dhe transparente.
Rreziqet e krimit financiar të lidhura me me COVID-19
Kriminelët janë duke përfituar nga pandemia COVID-19, për të kryer mashtrime, duke përfshirë reklamimin dhe trafikimin e ilaçeve të falsifikuara, duke ofruar mundësi investimesh, të cilat janë thjesht mashtrime dhe të angazhohen në skema mashtrimi, që kanë si subjekt kryesor frikën e shkaktuar nga virusi, me qëllim që të marrim sa më shumë informacione nga njerëzit.
Krimet kibernetike, mbledhja e fondeve për bamirësi të rreme dhe mashtrime të ndryshme mjekësore, që kanë si objektiv viktimat e pafajshme, ka shumë mundësi që të rriten, me kriminelët që përpiqen të përfitojnë nga pandemia, duke shfrytëzuar njerëzit që kanë nevojë urgjente për kujdes dhe vullnetin e mirë të publikut të gjerë dhe përhapjen e informacioneve të rreme mbi COVID -19.
Autoritetet kombëtare dhe organet ndërkombëtare janë duke paralajmëruar qytetarët dhe bizneset sa i takon këtyre keqinformacioneve, të cilat përfshijnë mashtrime, investime të rreme, si dhe tregtim të brendshëm në lidhje me COVID-19. Ashtu si kriminelët, edhe terroristët gjithashtu mund t’i shfrytëzojnë këto mundësi për të mbledhur fonde.
Mbikëqyrësit, njësitë e inteligjencës financiare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të vazhdojnë të ndajnë informacione me sektorin privat për t’u dhënë përparësi rreziqeve kryesore që lidhen me pastrimin e parave dhe rreziqet e financimit të terrorizmit të lidhura me COVID-19.
Për më tepër, kriminelët dhe terroristët mund të kërkojnë të shfrytëzojnë boshllëqet dhe dobësitë në sistemet kombëtare kundër pastrimit të parave / kundërfinancimit të terrorizmit (AML / CFT), teksa ata supozojnë se burimet janë të përqendruara diku tjetër, duke e bërë më të rëndësishme se kurrë mbikëqyrjen dhe veprimtarinë e zbatimit të bazuar në risqet e mundshme.
Institucionet financiare dhe bizneset e tjera duhet të qëndrojnë vigjilentë ndaj rreziqeve në zhvillim të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe të sigurohen që ata të vazhdojnë lehtësimin, në mënyrë sa më efikase të këtyre rreziqeve dhe të jenë në gjendje të zbulojnë dhe të raportojnë aktivitetet e dyshimta.
Rëndësia e dixhitalizimit
Me njerëzit në të gjithë botën që përballen me kufizime ose masa të rrepta të distancimit social, qasja në shërbime të ndryshme financiare është e vështirë, dhe në mënyrë të panevojshme i ekspozon njerëzit ndaj rrezikut të infeksionit. Përdorimi i pagesave dixhitale dhe mbi të gjitha, pa kontakt me njeri, zvogëlojnë rrezikun e përhapjes së virusit.
Prandaj, përdorimi i teknologjisë financiare (Fintech) ofron mundësi të konsiderueshme për të menaxhuar disa nga çështjet e paraqitura nga COVID-19. Në përputhje me Standardet FATF, FATF inkurajon përdorimin e teknologjisë, përfshirë Fintech, Regtech dhe Suptech, në të gjithë potencialin e mundshëm.
FATF publikoi së fundmi udhëzuesin mbi Identitetin Dixhital, ku nënvizohen përfitimet e mundshme të qytetarëve mbi sigurinë, privatësinë dhe komoditetet e identifikimit të njerëzve nga distanca, si për kryerjen e transaksioneve, ashtu edhe për zbutjen e risqeve të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit. FATF u bën thirrje vendeve të eksplorojnë përdorimin e identitetit dixhital, sipas rastit, për të ndihmuar transaksionet financiare ndërkohë që menaxhojnë më së miri rreziqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit gjatë kësaj periudhe krize.
Kur institucionet financiare ose bizneset e tjera identifikojnë risqe më të ulëta të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, Standardet FATF u lejojnë atyre të marrin masa të thjeshtësuara të kujdesit të duhur, të cilat mund t’i ndihmojnë ata të përshtaten me situatën aktuale. FATF inkurajon vendet dhe ofruesit e shërbimeve financiare për të eksploruar përdorimin e duhur të masave të thjeshtuara, për të lehtësuar shpërndarjen e përfitimeve qeveritare në përgjigje të pandemisë.
Ndihmat përmes organizatave jofitimprurëse
Kjo emergjencë globale e shëndetit publik ka nxjerrë në pah punën shumë të rëndësishme të bamirësve dhe organizatave jofitimprurëse (OJF) për të luftuar COVID-19 dhe pasojat e saj. FATF ka njohur prej kohësh rëndësinë jetike të OJF-ve në ofrimin e shërbimeve bamirëse thelbësore në të gjithë botën, si dhe vështirësitë në ofrimin e asaj ndihme për ata në nevojë.
FATF ka punuar ngushtë me OJF-të ndër vite për të përmirësuar Standardet FATF, për të siguruar fleksibilitet dhe për të siguruar që dhurimet dhe aktivitetet bamirëse mund të vazhdojnë në mënyrë të shpejtë, përmes kanaleve legjitime dhe transparente dhe pa asnjë ndërprerje. Është e rëndësishme të pranohet që Standardet FATF nuk kërkojnë që të gjithë OJF-të të konsiderohen me rrezik të lartë dhe që shumica e tyre kanë pak, ose aspak rrezik, në drejtim të financimit të terrorizmit.
Qëllimi i Standardeve FATF nuk është të parandalojë të gjitha transaksionet financiare me juridiksione ku mund të ekzistojnë rreziqe të larta të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, por përkundrazi të sigurohen që këto të bëhen përmes kanaleve legjitime dhe transparente, si dhe paratë të arrijnë te përfituesit e ligjshëm.
Autoritetet kombëtare dhe institucionet financiare duhet të zbatojnë një qasje të bazuar te risku, për të siguruar që veprimtaria e ligjshme e OJF-ve të mos vonohet, të ndërpritet ose dekurajohet në mënyrë të panevojshme. FATF inkurajon vendet që të punojnë me OJF-të përkatëse për të siguruar që ndihma të jepet tek ata që kanë vërtet nevojë dhe mbi të gjitha, që i gjithë ky proces të bëhet në mënyrë sa më transparente.
Këshilla të nevojshme
Rregullatorët, mbikëqyrësit, njësitë e inteligjencës financiare, autoritetet e zbatimit të ligjit dhe agjencitë e tjera përkatëse mund të ofrojnë mbështetje, udhëzim dhe ndihmë për sektorin privat, se si do të zbatohen ligjet dhe rregulloret kombëtare gjatë krizës aktuale.
Një udhëzim i tillë mund t’i sigurojë institucioneve financiare dhe bizneseve të tjera që autoritetet të ndajnë, në mënyrën më të mirë të mundshme punën, sfidat dhe rreziqet e përfshira në situatën aktuale, dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura. Autoritetet, në disa vende, kanë ndërmarrë masa të tilla brenda një kohe të shpejtë dhe i kanë dhënë këto lloj udhëzimesh. Mekanizmat me të cilët viktimat, institucionet financiare dhe bizneset e tjera mund të raportojnë mashtrimet e lidhura me COVID-19 mund të jenë veçanërisht të dobishme në këtë drejtim.
Në nivelin ndërkombëtar, FATF është duke punuar me Komitetin mbi Pagesat dhe Infrastrukturat e Tregut dhe Bankën Botërore, për të ndihmuar në sigurimin e përgjigjeve të koordinuara të politikës, për ofrimin e vazhdueshëm të shërbimeve të pagesave më të rëndësishme, në këtë kohë krize të pandemisë së COVID-19.
FATF, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara po punojnë për të lehtësuar ndikimet e krizës COVID-19. Për më tepër, FATF po punon me anëtarët e saj dhe Organet Rajonale të FATF-së për të identifikuar dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira në përgjigje të çështjeve të zakonshme, me të cilat po përballen shumica e vendeve të prekura.
Angazhimi i FATF për të mbështetur përpjekjet në drejtim të çështjeve të COVID-19
FATF është e gatshme të sigurojë udhëzime të mëtejshme për të mbështetur përpjekjet aktuale globale, për të trajtuar krizën COVID-19 dhe efektet e saj, dhe mirëpret çdo reagim dhe këshillim të mundshëm në këtë drejtim.
Shqipëria “legalizon” kriptomonedhat e bashkë me to, edhe riskun e pastrimit të parave
Autoritetet shqiptare kanë vendosur që të rregullojnë me ligj, një fushë që deri tani ishte jashtë ndonjë kuadri rregullator. Në Kuvend ka mbërritur projektligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i cili legjitimon kriptomonedhat. Në relacion thuhet se synohet të bëhet rregullimi me ligj, ndalimi në rast abuzimi dhe marrja e penaliteteve në lidhje me aktivitetet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to, duke nënvizuar se rregullimi është variant që po përqafohet në shumë vende si alternativë për kontrollin dhe mbarëvajtjen.
Tokenët dixhitalë dhe monedhat virtuale janë një lloj aktivi virtual, thelbësisht të varur nga teknologjia e regjistrave të shpërndarë (“Distributed Ledger Technology” – DLT), të cilët i japin përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose mund të përdoren si instrument pagese apo mjet utilitar, në procesin e blerjes së produkteve apo të shërbimeve, shpjegohet në relacion.
Deri tani, në Europë vetëm dy shtete kanë marrë hapa për të zbatuar një legjislacion të caktuar për aktivet virtuale, të cilat nuk mbulohen nga kuadri ekzistues i Bashkimit Europian. Kështu, Malta ka në fuqi një ligj për aktivet virtuale, Franca e ka miratuar ligjin në prill të vitit 2019. Por paralelisht me këtë, relacioni pranon se siç ka përfitime ka edhe rreziqe.
“Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme, siç janë krijimi i skemave mashtruese, apo i skemave të paautorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë, në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet” thuhet në relacion.
Në relacion pranohet se pastrimi i parave është një nga rreziqet që lidhet me përdorimin e monedhave virtuale.
Sa i takon vetëm pastrimit të parave, thuhet se projektligji adreson edhe çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licencë-krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, nëpërmjet hartimit të politikave për parandalimin e pastrimit të parave dhe angazhimit të punonjësve me përvojën e duhur për raportimin e çështjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave./monitor.al