Kush i “paguan” pasojat e pandemisë?!

0

Një pjesë e madhe e rinisë evropiane iu përgjigj me seriozitet thirrjes për distancim fizik dhe për t’u mbyllur në shtëpi, në përpjekje për të kontribuuar për kufizimin e përhapjes së sëmundjes.

Por tani ky brez po ndjehet gjithnjë e më nervoz e i shqetësuar për të ardhmen dhe situatën ekonomike, thonë ekspertët.

Ekspertët thonë se rezultati ekonomik i pandemisë mund të krijojë konflike mes brezash.

Ka pasur edhe të rinj që u kanë rezistuar urdhrave. Disa janë mbledhur për “mbrëmje festive të koronavirusit”, të tjerë kanë frekuentuar shtëpitë e njëri tjetrit për t’u shoqëruar.

Shkencëtarë e zyrtarë i dënuan këto praktika, ndërkohë që disa të rinj flisnin me cinizëm për pandeminë si momenti oportun për ta pastruar botën nga brezat e moshuar.

Ndërkohë që Evropa pritet të kalojë depresionin më të rëndë që nga vitet 1930, shanset për punësim e rritje në karrierë janë shumë të dobëta për brezin e mijëvjeçarëve dhe brezin e 20-vjeçarëve. Pritet që këta breza të ndeshin vështirësi në jetë për një kohë të gjatë. Kjo, thonë ekspertët, mund t’u japë formë zhvillime politike evropiane.

“Unë e shokët e mi ndjehemi të dërrmuar nga këto kriza të vazhdueshme që kanë goditur brezin tonë, kjo rendje për vdekje për të gjetur punë, shtëpi. Kërcënimi i ngrohjes globale, ndikimi social, të gjitha do të sjellin pasoja të rënda,” thotë Joanna George, e brezit të mijëvjeçarit.

Në një koment në të përditshmen e Londrës The Times, ajo shkruan: “Pasojat ekonomike e sociale të koronavirusit po bëhen gjithnjë e më të qarta për të gjithë, por sidomos për brezin e mijëvjeçarit dhe brezin më të ri që do të jetojnë për dekada me barrën ekonomike mbi supet e tyre të ngarkuara me peshën e krizave të tjera”.

Rinia u godit rëndë nga recesioni i 2008-ës. Britanikët në të 20-tat e 30-tat vuajtën rënien më të thellë në paga krahasuar me çdo grupmoshë tjetër të krahut të punës. Inflacioni në tregun e banesave e bën të pamundur për ata të blejnë shtëpi. Pritet që koronavirusi ta bëjë edhe më të rëndë këtë situatë.

Javën e kaluar kreu britanik i financave Rishi Sunak paralajmëroi “Do të jetë situatë e rëndë. Ekonomia do të marrë një goditje të konsiderueshme”.

Analistët parashikojnë një tkurrje prej 13% këtë vit të ekonomisë britanike, si rezultat i mbylljes së aktivitetit. Ky do të përbënte recesionin më të rëndë në tre shekuj. Pritet që borxhi publik të arrijë nivelet e periudhës pas Luftës II Botërore.

Në mbarë Evropën gjendja është e zymtë.

Edhe para epidemisë, papunësia në radhët e rinisë së Eurozonës ishte nga 19-25%. Në Spanjë, Greqi e Itali gjatë dekadave të fundit ka arritur deri në 40%.

Edhe ata të rinj që janë të punësuar e gjejnë veten me punë të përkohëshme, pa mundësi avancimi, me orar të reduktuar. 20 dhe 30 vjeçarët para epidemisë ishin në gjendje më të keqe se prindërit e tyre në të njëjtën moshë.

Papunësia në kontinentin evropian mbetet një problem i vazhdueshëm, i cili nga analistë shihet si faktori që solli në pushtet forca të ekstremit të djathtë.

Tani rinia e sotme do të ketë mbi vete barrën e borxheve publike që u mblodhën nga masat kundër koronavirusit.

Kanë filluar debatet mbi mënyra për ta ndarë këtë barrë mes brezave, duke kërkuar nga brezat më të moshuar, të cilët kanë përfituar nga rritja kolosale e çmimeve të banesave, apo që kanë fonde të konsiderueshme pensioni, të paguajnë një pjesë të kostos.

Fondacioni i Tregut Social, një grup studimor në Britani, ka kërkuar një “ndarje të drejtë të barrës ekonomike mes brezave”.

Programet e shkurtimeve buxhetore nuk duhet të rëndojnë tek sistemi social për klasën e punonjësve, duke mbrojtur pensionistët, siç ndodhi pas krizës së 2008”. Grupi argumenton për rritje taksash mbi vlerën e pronës dhe mbi pasurinë monetare.

“Masat e izolimit kanë goditur më rëndë britanikët në moshë pune, të cilët prej vitesh kanë vuajtur pasojat e rritjes së taksave, shkurtimit të programeve qeveritare dhe ngadalësimit të aktivitetit ekonomik,” thotë Scott Corfe, drejtor i Fondacionit.

“Shoqëria mori vendimin e duhur duke ndalur aktivitetin për të mbrojtur pensionistët që janë në rrezik nga epidemia. Situata kërkonte sakrifica nga të gjithë brezat, edhe kostoja financiare e epidemisë do të kërkojë sacrifica nga të gjithë brezat”. /VOA/

Artikulli i mëparshëmLukaku: Te Interi 23 futbollistë, kishim simptomat e Covid-19!
Artikulli i radhësErdogan: Pas epidemisë, Turqia do të jetë në qendër të një rendi të ri global