Çorientimi i opozitarizmit, Basha apo Meta?

0

Vërshimi i kritikave ndaj presidentit Meta, herë të shoqëruara me dyshime dhe herë me zemëratë është një shenjë që tregon se populli opozitar është sot më i çorientuar se kurrë në zgjedhjen e tij. Pasi e kanë parë Metën në mitingun e 2 marsit si një shpresë për ti vënë digë regjimit, pasi kanë besuar qoftë edhe nga halli se ai do të sakrifikohet si Aliende, apo do ti printe rebelimit, një pjesë e kundërshtarëve të Rilindjes janë ndjerë të zhgënjyer për uljen e toneve të presidentit me Ramën.

Në të vërtetë, në këtë kohë pandemie, të gjithë janë të ndërgjegjshëm që nuk është vakti për një betejë politike. Por, nga shmangja e përplasjes e deri tek dhurimi i paqes për shtetin që drejtohet përmes Facebook-ut, ka një ndryshim të madh. Cënimi i lirive kushtetuese me urdhra që jepen përmes ERTV-së, përpara se të botohen në fletoren zyrtare, miratimi i ndryshimeve të Kodit Penal, me procedura shumë më qesharake se ato Dvorani-Gjonaj, nuk mund të kapërdihen lehtë nga presidenti që puthte në studio televizive librin e kuq të kushtetutës.

Kur në mbarë botën shumëkush po shqetësohet se në kushtet e gjendjeve të jashtëzakonshme edhe demokraci të stabilizuara rrezikojnë të rëshkasin në regjime, të mendosh qe ai që e ke cilësuar si autokrat do të shndërrohet në normal, është në rastin më të mirë, naivitet.

Por duke ditur historinë e përbashkët të Metës me Ramën, shumë opozitarë i frikësohen rastit më të keq.

Kush e kujton ende të freskët manifestimin e stërmadh të 2 marsit, me siguri e ka kuptuar se njerëzit nuk dolën në rrugë për të ndarë se kush do ta zinte një vend në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi apo Xhaferllari. Qëllimi i tubimit të tyre ishte politik. Ata i’u përgjigjën thirrjes së Metës të friksuar nga shenjat e zbehjes së betëjës opozitare që po u dëshmonte përditë Lulzim Basha. Ata u derdhën në bulevard për të, vetëm pasi lideri i PD, i kishte dhuruar kryeministrit qetësi dhe paqe në kohën që i duhej më shumë: para konferencës së donatorëve dhe diskutimit për hapjen e negociatave.

Pikërishtë ata njerëz që manifestuan në 2 mars edhe ndaj letargjisë së Bashës, janë sot të çoroditur me qëndrimet ambigue të Metës.

Dhe ky është treguesi i asaj që po ndodh realisht në Shqipëri: krijimi i një mase ta madhe anti-rama e cila është dëshpërimisht në kërkim të një koke. Kjo shumicë ka qartësinë për të vënë gishtin mbi atë që nuk do, por ka fatkeqësinë që nuk di se kujt ti besojë. Ata janë të gatshëm ti shkojnë pas Lulzim Bashës kur ai mer në dorë molotovin, por mund ta lënë atë sakaq në favor të Metës, kur ky u premton një betejë më të ashpër ndaj kryeministrit.

Në këtë kuptim, ky është rasti i parë në këto tre dekada demokraci, kur sjellja politike opozitare nuk vendoset nga lartë, pra nga liderët, por nga poshtë, domethënë nga masa. Dhe kjo për një fakt të thjeshtë, sepse anti-ramizmi është bërë më i fortë se anti-berishizmi në Shqipëri. Nëqoftëse, në kohën e Berishës së parë, kundërshtarët e tij nuk e shkonin në mendje ta ndryshonin Fatos Nanon, për asnjë lloj arsye, nëqoftëse gjatë mbretërimit të Saliut të dytë, socialistët nuk kishin yshtje për ta braktisur Ramën, opozitarët e sotëm mund ta këmbejnë lehtësisht Bashën më Metën, apo qoftë dhe të dy bashkë me këdo tjetër, në varësi të ashpërsisë së betejës që marrin përsipër.   

Kritikat e befta që mori presidenti menjëherë sapo uli tonet me vëllain e tij armik, janë dëshmia më e dukshme e këtij zhvillimi të ri. Sot sejcili lider i opozitës, nëse do të vazhdojë të ketë mbështetje, është i dënuar të ndjekë rrugën që i imponohet nga poshtë, atë të përplasjes me kreun e një regjimi autokratik. Sepse për fatin tonë të keq, me ato që kanë ndodhur për shtatë vjet, opozitarizmi është barabitur me anti-ramizmin.

Artikulli i mëparshëmKore e Veriut/ Kim Jong-un ndërron jetë?
Artikulli i radhësDisa pyetje për juristët e Presidentit, pse Meta u soll si këshilltar i Komisionit të Ligjeve për ndryshimet në Kodin Penal