Behgjet Pacolli izolohet në Tiranë, këmbëngul të shmangë karantinën

0

Naim Museli, këshilltari i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli ka konfirmuar sot se ky i fundit gjendet ende në Tiranë. Murseli tha se pas kthimit nga Zvicra, mbrëmjen e së martës, kryetari i AKR-së po qëndron i izoluar në apartamentin e tij në kryeqytetin shqiptar. “Po. Ai gjendet në apartamentin e tij në Tiranë”, – ka thënë shkurt Murseli.

Ai ka thënë se gjatë ditës do të mësohet nëse Pacolli do të kthehet në Prishtinë. Një ditë më parë Pacolli kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës që t’i mundësohet kthimi në shtëpinë e tij pa pasur nevojë të futet në karantinën 14 ditore në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Një kërkesë e tillë është refuzuar për Pacollin, duke thënë se rregullat e karantinimit për këdo që futet në Kosovë nga jashtë janë të njëjta. Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Lumir Abdixhiku pohoi se Pacollit i është dhënë leja për të udhëtuar me çarterin e tij privat, po më pas vendos Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga Vetëvendosje.

Në fakt edhe nëse qëndron në Tiranë, Pacolli duhet të hyjë në një nga hotelet që ka përcaktuar qeveria shqiptare për karantinim. Edhe në këtë rast deputeti kosovar duhet të zbatojë ligjin shqiptar për gjendjen e jashtëzakonshme.

Këmbëngulja e Pacollit për të shmangur karantinën lidhet me formimin e qeverisë së re të Kosovës. Ai dëshiron të jetë në parlament për të votuar kabinetin e drejtuar nga Avdullah Hoti ku partia e tij do të jetë pjesë.

Nuk dihet ende si do të zgjidhet kjo çështje pasi ministria e shëndetësisë këmbëngul që Pacolli duhet të izolohet në karantinë. Vetë Pacolli thotë se ka qëndruar për mbi 1 muaj i izoluar në shtëpinë e tij në Zvicër dhe se është nën kontrollin e një grupi mjekësh duke garantuar për shëndetin e tij.

Artikulli i mëparshëmCOVID-19/ 16 raste të reja në 24 orët e fundit. Shkon në 766 numri i të infektuarve me koronavirus në vend
Artikulli i radhësVlorë/ 60-vjeçari humb jetën në spital pas konfliktit me fqinjin