Europa e etur për t’u kthyer në normalitet

0

Shumë vende europiane fillojnë nga e hëna me lirimin e mëtejshëm të masave kufizuese të marrë në përpjekje për të kufizuar pandeminë. Ashtu si edhe u vunë masat kufizuese, në mënyrë kaotike në vendet të ndryshme të BE si një mozaik, ashtu edhe po hiqen.

Lirime masash kudo në Europë

Të hënën në Zvicër tetë javë pas mbylljes së shkollave hapen të hënën si shkollat, kopshtet, dyqanet, restorantet dhe muzetë. Edhe sporti deri në 5 vetë lejohet. Të gjitha lirimet e masave janë bërë me kushtin e ruajtjes së higjienës dhe distancës së përcaktuar deri në 2 metra. Deri në qershor nuk hapen kinematë, kazinotë, pishinat, palestrat. Maskat nuk janë me detyrim, por ato rekomandohen aty ku nuk mbahet dot distanca.Në Gjermani lejohet takimi i dy familjeve, hapen palestrat, e të gjitha dyqanet pavarësisht nga madhësia.

Në Francë nga e hëna njerëzit mund të dalin nga dera pa pasur nevojë për leje. Për sport e shëtitje nuk ka kufizime. Edhe dyqanet do të hapen, por restorantet e baret mbeten të mbyllura. Në zonat, ku nuk ka shumë infeksione lejohet hapja e parqeve dhe kopshteve. Në disa faza do të hapen edhe shkollat e kopshtet. Kufizimi i lëvizjes mbetet. Kush dëshiron të lëvizë më shumë se 100 kilometra (deri më tani ka qenë 1 km) duhet të ketë një arsye justifikuese për këtë. Në metronë e Parisit në orarin kur vagonët mbushen, kanë prioritet punëtorët me lejen e lëvizjes. Maska është me detyrim në transportin publik. Britania e Madhe nuk do të kryejë shpejt lirime pas fjalimit të kryeministrit, Boris Johnson të dielën. Ky vend shënon numrin më të madh të viktimave të Covid-19. Ekonomia do të hapet ngadalë, e britanikët mund të dalin më shumë se një herë në ditë jashtë, por ndryshime të mëdha nuk ka për momentin.

Lirime masash kudo në Europë

Spanja, një nga vendet më të goditura nga kriza lejon një hapje në bazë të rajoneve. Ishujt, si Majorka, e rajone të tjera fillojë me fazën e parë të normalizimit. Hotelet, baret, restorantët hapen. Në rajone të tjera si Katalonjë apo Valencia lehtësimet janë të kufizuara. Në Madrid e Barcelonë mbetet në fuqi faza “0” me ndalim të fortë të lëvizjes. Edhe Greqia një vend që jeton nga turizmi, përpiqet të rivërë në punë motorin ekonomik. Me fazën e dytë lejohet nga e hëna hapja e të gjitha dyqaneve, që mundëson kthimin e një të tretës së punonjësve në vendin e punës. Në gjimnaze kthehen në shkolla nxënësit e klasave të larta, që të japin provimet.

Në Itali shumë masa kufizuese mbeten në fuqi. Shumica e dyqaneve mbeten të mbyllura deri në mesin e muajit. Parukeritë duhet të presin deri në qershor. Por parqet janë hapur dhe industria ka filluar sërish nga puna. Gati një e pesta e të punësuarve kthehen në vendin e punës. Kryeministri italian,Giuseppe Conte megjithatë u ka dhënë shpresë italianëve për pushimet e verës. “Këtë verë nuk do ta kalojmë në ballkon, dhe bukuria e Italisë nuk do të mbesë në karantinë. Mund të shkojmë në det, në mal, të shijojmë qytetet tona”, tha Conte pa thënë, nëse do të vijnë turistë të huaj në verë.

Në Belgjikë pas javësh mbylljeje hapen sërish dyqanet, nën masa të forta higjiene. Familjet lejohet të presin deri në katër persona. Por duhet të jenë të njëjtët persona që vizitojnë vetëm një shtëpi. Distanca 2 metra vazhdon të mbetet. Kurse në Holandë dy muaj pas mbylljes hapen shkollat fillore në fillim me gjysmën e nxënësve për një ditë. Edhe kopshtet dhe bibliotekat janë hapur. Parukeritë, sallonet e bukurisë dhe masazhet lejohen po ashtu të fillojnë nga puna. Sporti lejohet me distancë, por pa kontakt trupor. Në Danimarkë lejohet sërish që të hapen të gjitha dyqanet edhe qendrat tregtare. Në Çeki lejohet transporti hekurudhor rregullisht me tren, autobus e avion. Në Norvegji kthehen edhe nxënësit e klasave të larta në shkolla. Kurse në Finlandë shkollat hapen të enjten.

Edhe në Ballkan ka disa lehtësime. Në Kroaci lejohet të hapen restorantet që shërbejnë jashtë dhe qendrat tregtare. Udhëtimet brenda vendit lehtësohen. Në Slloveni lejohet hapja e hoteleve me më pak se 30 shtretër, parqet, kampingjet po ashtu lejohet të hapen. Lejohen takimet deri në 10 persona. Hapen shkollat e kopshtet. Në Serbi hapen sërish kopshtet dhe shkollat fillore për prindërit që duhet të punojnë. /DW

Artikulli i mëparshëmPersonazhet e ekranit shqiptar që deklaruan se kanë kaluar koronavirusin
Artikulli i radhësGazetarja në siklet… I grisen pantallonat në transmetim direkt (FOTO)