Namazi i Fitër Bajramit do të falet në xhami, Kreu i KMSH mesazh besimtarëve: Të flasim me gjuhën e shpirtit, të ndërtojmë ura mirëkuptimi

0
Kreu I Kmsh

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se dita e parë e Fitër Bajramit është të dielën, më 24 maj 2020. Duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, KMSH bën me dije se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë.

Ceremonia qendore e Fitër Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri) Tiranë.

Në urimin e tij për besimtarët, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu shprehet se Fitër Bajrami është kurorëzimi i muajit të Ramazanit, është ftesa e shpalosjes së vlerave të fituara në këtë muaj, është shpërblimi i sakrificës, është afrimi më shumë me Zotin. “Bajrami është ditë shprese, gëzimi dhe solidarizimi, është dita e manifestimit të vlerave dhe virtyteve që Ramazani i ka rizgjuar tek njeriu, është dita e falënderimeve dhe dita e dashurisë. Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta, iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar”, shprehet Spahiu.

Ai këshillon më tej që gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj familjes, fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë.

MESAZHI I PLOTË

Bismilahi Rrahmani Rrahim
Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin Muhamed (a.s), familjen, shokët dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra, sot ndahemi nga një mik shumë i vyer dhe i shtrenjtë, ndahemi nga muaji i Bekuar i Ramazanit, muaji i Kuranit, lutjeve, mirësive, bujarisë dhe dashurisë hyjnore.

Muaji që lamë pas na ka rizgjuar ndjenja dhe virtyte të larta duke na ndriçuar ndërgjegjen dhe lartësuar shpirtin.

Nesër është Fitër Bajrami dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen, gëzuar e për shumë vjet. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë Bajrami në familjet tuaja!

Fitër Bajrami është kurorëzimi i muajit të Ramazanit, është ftesa e shpalosjes së vlerave të fituara në këtë muaj, është shpërblimi i sakrificës, është afrimi më shumë me Zotin. Bajrami është ditë shprese, gëzimi dhe solidarizimi, është dita e manifestimit të vlerave dhe virtyteve që Ramazani i ka rizgjuar tek njeriu, është dita e falënderimeve dhe dita e dashurisë.
Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta, iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar.

Me këtë rast dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, që punuan me përkushtim për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të prekur nga pandemia.

Në një hadith kudsi Allahu u drejtohet besimtarëve: “Për Mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhrit tim falët namazin e Bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga gjynahet e të falur”.

Allahu ua pranoftë agjërimin, adhurimet dhe lutjet që kemi bërë gjatë këtij muaji të bekuar.

Të nderuar besimtarë, bajrami është festa e bashkimit, kështu që ta festojmë të gjithë bashkë. Të kujdesemi për të afërmit, për njerëzit në nevojë, të qëndrojmë pranë tyre dhe të përpiqemi që kjo festë të festohet nga të gjithë, çdo shpirt ta përjetojë gëzimin dhe madhështinë e kësaj feste.

Gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj familjes, fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë.

Është koha që edhe njëherë të reflektojmë fort mbi vlerat e vërteta të familjes, ta mbrojmë atë nga çdo antivlerë që i kanoset asaj dhe të jemi shembull i familjes me virtytet e saj të patjetërsueshme. Familja është e ardhmja e një kombi, ajo është qeliza e shoqërisë. Sa më e shëndoshë të jetë familja aq më e ndritur do të jetë edhe e ardhmja kombit tonë.

Bajrami është festa e kënaqësisë së besimtarit e cila lind nga shpresa e përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes.
Le të shërbejë kjo festë për të larguar brengat, mëritë dhe hatërmbetjet. Të mbjellim virtytet e dashurisë, mirësisë, vëllazërisë dhe miqësisë. Të flasim me gjuhën e shpirtit, të ndërtojmë ura mirëkuptimi.

Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit!
Ti lutemi Allahut që kjo festë të jetë një sihariq për të larguar sëmundjet dhe fatkeqësitë.
Gëzuar Fitër Bajramin!
H. Bujar Spahiu
Kryetar i KMSH-së

Artikulli i mëparshëmMeta i kthen maxhorancës ligjin për portin e ri të Hidrokarbureve në Porto Romano, 10 faqe arsye për dekretin: Është cenuar gara e lirë dhe e ndershme për koncesionin
Artikulli i radhësVdekja e të miturit në zbukurimet e parkut, arrestohen dy zyrtarë të Bashkisë Berat