Nga Mustafa Nano
Britania e Madhe ka qenë në karantinë, si shumë vende të tjera. Dhe karantina është respektuar nga pjesa më e madhe e shoqërisë.
Njerëzit kanë dalë jashtë vetëm për nevoja bazike, për të bërë pak gjimnastikë, për të nxjerrë shëtitje qenin, për të blerë ushqime e ilaçe, dhe një pjesë e vogël njerëzish për të punuar në rrethanat që punën nuk mund ta bënin nga shtëpia.Për ata që kanë thyer rregullat, ka patur gjoba nga 50 deri në 1000 paund. Gjobat janë gjoba, por duhet thënë se suksesi i karantimit u mendua të bazohej në një esprit de corps, me fjalë të tjera në shpirtin kolektiv, në shpirtin e solidaritetit.
Shprehja “we’re all in this together” u bë mantra e britanikëve për javë të tëra. Kuptimi ishte:
“Jemi të gjithë në të njëjtën barkë. Po u përmbys barka, mbytemi të gjithë.”
Në këtë panoramë të përgjithshme ka ndodhur një ngjarje e veçantë.
Në pikun e karantinimit, Dominic Cummings, këshilltari kryesor i Boris Johnsonit ka lënë shtëpinë në Londër, ka marrë gruan e fëmijën e vet katër vjeçar dhe ka shkuar t’u bëjë një vizitë prindërve të tij në Durham, që është nja 350 km larg.
E ka bërë këtë në një kohë që gruaja e tij ishte infektuar me covidin 19. Atje është parë nga banorë të Durhamit, dhe është denoncuar.
Pas kësaj, ka plasur një debat, ku janë përfshirë të gjithë. Është debati kryesor në Britaninë e Madhe.
Ai e ka justifikimin: shkova se duhet të lija fëmijën tim te prindërit, gjë që përfshihet te nevojat bazike, por shumica e britanikëve nuk ia kanë pranuar këtë justifikim.
Britanikët që kanë shpikur magna carta-n e habeas corpus-in nuk mund ta pranojnë këtë situatë, në të cilën ka një rregull për të gjithë e një rregull tjetër për fare pak njerëz me pushtet.
Ata nuk mund ta tolerojnë një njeri me pushtet që thotë: bëni si them unë e mos bëni si bëj unë.
Ata nuk mund ta pranojnë principin orwellian se të gjithë kafshët janë të barabarta, por derrat janë më të barabartë se të tjerët. Dhe kanë ngritur zërin. Ata po thonë se “nëse e falim këtë, atëherë karantinim nuk ka më”.
Sepse siç bëri Cummings, do të bëjmë të gjithë. Pikë. Atje prindërve u kanë vdekur fëmijët, fëmijëve ju kanë vdekur prindërit, e kështu me radhë, dhe ata nuk janë lejuar të marrin pjesë në varrimin e tyre.
Përfytyroni tani që në këtë rrethanë, kur ty nuk të është lejuar t’i rrish babait apo nënës te shtrati i vdekjes, e t’i varrosësh ata, ti dëgjon e lexon se Domnic Cummings, këshilltari i kryeministrit, i ka dhënë të drejtë e leje vetes të shkojë të çmallet me prindërit.
Gazetarët janë ngritur kundër. Priftërinjtë janë ngritur kundër. Sportistët, mësuesit, studentët, janë ngritur kundër. Opozita është e tëra kundër. Edhe maxhoranca po bën të njëjtën gjë.
Doktorët e shkencëtarët që punojnë në Task Force-ën e kryeministrit për Covidin 19 janë shprehur publikisht e kanë thënë se kjo ngjarje, edhe në qoftë shpifje, e dëmton dhe e komprometon strategjinë për të luftuar koronavisurin.
Po kështu, rreth 50 deputetë, po i kërkojnë kryeministrit ta shkarkojë këshilltarin. Ata janë nën presionin e zgjedhësve të tyre, që u dërgojnë mesazhe e emaila, ku u thonë se kjo është një gjë e patolerueshme.
Me logjikën shqiptare duket si debat mbi një çikërrimë. Ne në këtë rast do thoshim:
“E mo se nuk është ndonjë gjë e madhe! Me këtë budallallëk do merremi ne?” Në fakt, gjatë karantinimit ka patur plot VIP-a që kanë lëvizur nëpër Shqipëri.
Me justifikimin se janë VIP-a. Se në Shqipëri një VIP vlen më tepër se sa një ligj. Një i ftuar në këtë studio më ka thënë gjatë bisedës para kamerave (dhe këtë nuk e sjell për të denoncuar vip-in në fjalë, por për të denoncuar një kulturë vip-ore, sepse të gjithë vip-at janë njësoj në Shqipëri, janë mbi ligjin), VIP-i në fjalë pra më ka thënë para kamerave se e kishte kaluar kohën duke ardhur rreth nëpër Shqipëri, dhe se policët, me ta parë, i thoshin: “Ah, ti je? Ok, vazhdo.”
Çfarë ndryshimi kolosal!