Kuvendi i Shqipërisë organizoi një ditë më parë mbledhjen e Aleancës së Grave deptuete ku në qendër të diskutimeve ishte abuzimi seksual nga roja i shkollës me një 15 vjeçare në Babrru të Tiranës.
Mes diskutimit të grave deputete ajo që ra në sy ishte reagimi i fortë i ish-kryetares së Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi dhe kryetares së Komisionit të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli.
Ish-ministrja e Mbrojtjes, Kodheli e drejtoi gishtin e përgjegjësisë për abuzimin e minorenes edhe tek sistemi arsimor, duke akuzuar drejtpërdrejtë mësuesit për largimin e vëmendjes nga problemet e nxënësve.
‘Dikur ne mësuesit i konsideronim si prindërit tanë të dytë, të ka marrë në telefon prindi, të paktën unë i takoj asaj gjenerate, dhe mësuesja merrte në telefon dhe thoshte se pse ka munguar fëmija.
Por sot zysha tona e kanë mendjen për të bërë të tjera punë, nuk të del koha të jesh edhe zyshë të bësh ditarin tërë ditën, të lysh edhe flokët, sytë buzët, vetulla me funde e minifunde.
Zysha tona kanë qenë të pamartuara dikur, por sot s’merret vesh se kush është bërë zyshë. Do ta marrim këtë situatë në dorë apo do flasim’, tha Kodheli.
Por pas publikimit të pamjeve ku shprehej edhe revolta e deputeteve socialiste për ngjarjen dhe dështimin e autoriteteve për të parandaluar ngjarjen, Kuvendi i Shqipërisë fshiu nga faqja e tij zyrtare videon e mbledhjes duke shuar në këtë mënyrë edhe zërat kritikë brenda maxhorancës.
Videoja e mbledhjes u rihodh mëngjesin e të mërkurës sërish nga shërbimet e Kuvendit.
Këtë herë Kuvendi u investua ta montojë edhe një herë videon e mbledhjes dhe në të mungon komunikimi i deputetes socialiste Mimi Kodheli. Videoja më sipër tregon radhën e komunikimeve dhe videon e montuar nga Kuvendi ku duket qartë se Kodheli është fshirë.
Është e paprecedentë se si videot e mbledhjeve të Kuvendit që duhet të jenë të hapura për syrin e publikut, censurohen dhe montohen duke hequr zërat kritikë. /Abcnews